Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka marrë një rrebesh kritikash në faqen e tij zyrtare në Facebook, pasi në një shkrim të fundit në rrjetin social i uroi sukses vetëm Shqipërisë në ndeshjen e saj kualifikuese për Kupën e Botës 2018 në futboll, duke mos e thënë asnjë fjalë të vetme për Kosovën, e cila në të njëjtën kohë po zhvillonte një ndeshje historike.
“…Kombëtarja fillon rrugëtimin drejt Botërorit 2018. Kombëtarja e bashkimit, ajo që then kufijtë, dinjitozja e fitoreve, ajo që na e dëshmon se dobësinë nuk e kemi as natyrë e as kulturë, por vetëm politikë të dëmshme. Që na e dëshmon se të ndarë as nuk jemi më mirë, e as nuk mund të jemi më mirë. Përpara Shqipëri!”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
Por, ky shkrim i tij nuk është pritur hiç mirë nga komentuesit në rrjetin social. Ata e kanë grirë numrin një të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shumëkush e ka kontestuar patriotizmin e tij, shumëkush ia ka kujtuar atij se ai jeton në Kosovë, e shumëkush ia ka përmendur edhe profesionin që ai dikur e kishte pasur, citohet “Express”. (b.an)