“Jeta imë ishte në rrezik, gruaja dhe vëllai im u vranë në të njëjtën ditë”. Kështu e nis rrëfimin Lucky, një 20-vjeçar nga Nigeria. Ai është një prej 118 mijë personave që ka bëtë udhëtimin e rrezikshëm nga Libia drejt Italisë këtë vit.
Rreth 15 mijë persona janë shpëtuar në brigjet e Libisë që prej 28 gushtit. Vetëm këtë vit raportohet se 3 mijë persona janë zhdukur në det.
Ky fluks refugjatësh ka bërë që Italia të ndiejë presionin e tyre. Vetëm në një ditë në portin e Pozzalli në Siçili janë shpëtuar 700 persona, burra, gra dhe fëmijë.
Shumë prej emigrantëve kanë pësuar trauma nga përvoja e tyre në Libi dhe rruga e vështirë që kanë ndjekur për të ardhur në Europë. Një prej tyre është edhe 20-vjeçari Lucky. Ai rrëfen për BBC eksperiencën e tij në Libi.
“Ishte një makth. Nëse shumë njerëz do ta dinin se çfarë ndodh atje, ata nuk do ta merrnin guximin të vinin. Atje po vriten çdo ditë. Unë pashë vrasje. Unë pashë se si një burrë vrau një djalë të pafajshëm dhe pa asnjë arsye”, tregon Lucky.
Lucky kërkon vetëm mbrojtje dhe të jetojë i lirë. “Unë jam një njeri i pastrehë, nuk kam ndonjë zgjidhje tjetër. Dua vetëm mbrojtje, kam nevojë të jetoj i lirë”, shprehet ai. Mirëpo, tani për tani shtëpia e re e 20-vjeçarit është një tendë në një qendër emigrantësh në Messine, shkruan shqip.
Ekziston frika se këta emigrantë që vijnë nga Libia mund të bien lehtë pre e kontrabandistëve. Një numër i madh personash në Libi janë ende në pritje për të ardhur në Europë, çka tregon në një farë mënyrë se kjo krizë nuk do të marrë fund për një kohë të gjatë.