Kancelarja gjermane, Angela Merkel mori sot përgjegjësinë për humbjen elektorale të kristiandemokratëve (CDU) në vendlindjen e saj, por pavarësisht kësaj, ajo mbrojti qëndrimet e saj lidhur me krizën e refugjatëve duke thënë se vendimet e marra në muajt e fundit ishin ato të duhurat.
Partia e djathtë “Alternativa për Gjermaninë” me 20,8 për qind të votave arriti të kalojë në vend të dytë Partinë Kristiandemokrate të Merkelit në zgjedhjet elektorale në vendlindjen e kancelares, në Mecklenburg-Vorpommern, ku një debat kombëtar mbi integrimin e refugjatëve dhe kërcënimi i terrorizmit ”mbytën” çështjet lokale.
“Sigurisht që kjo ka të bëjë me politikat e refugjatëve, kështu që unë mbaj përgjegjësi për këtë, por vendimet e mia lidhur me krizën e refugjatëve ishin të drejta”, tha Merkel në samitin e G20-ës.
Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber tha sot se qeveria e Merkelit kishte nisur tashmë një sërë masash për të reduktuar fluksin e refugjatëve dhe për të integruar 1,1 milionë refugjatë, të cilët kanë ardhur gjatë vitit 2015.
“Duhet kohë që masat e marra të japin rezultate si dhe të rifitohet besimi i humbur”, deklaroi Tauber gjatë një konference shtypi.