Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka përkujtuar të atin e tij, teksa 6 shtatori shënon dhe 5 vjetorin e vdekjes së sociologut të shquar shqiptar Hamit Beqaj. Ministri ka postuar një foto të të atit dhe dy fjalë të shkurtra domethënëse:
“Nuk është e lehtë të jesh djali i babës së mirë! Si sot 5 vjet, humba tim atë, por edhe një shok të mirë!“
Kush ishte Profesor Hamit Beqaj
Hamit Beqja ka studiuar për psikologji e pedagogji në Institutin Pedagogjik të Moskës, në periudhën 1949 – 1953 dhe për rreth 40 vjet, duke filluar nga viti 1954 e deri sa doli në pension, më 1993, ai ka qenë pedagog, kryesisht në Universitetin e Tiranës. Për më shumë se ½ shekulli është marrë krijimtari socio-psikologjike e socio-pedagogjike.
Ka botuar mbi dyzet libra të shkencave sociale dhe rreth 500 artikuj në gazeta për arsimin, historinë, kulturën, pedagogjinë, psikologjinë (sidomos atë sociale edhe etnike), sociologjinë (sidomos atë të kulturës e të edukatës) etj.
Veprimtarinë shkencore e botuese ai e ka shtjelluar në librin “Gjurmë jetë, shkrime autobiografike (2004), ideja qendrore e të cilit është vetjakësia e spikatur dhe e ndërlikuar e jetës së tij.
Ndër botimet e tij përmendim: Psikologjia (1959, 1963, 1965); Historia e pedagogjisë (1965); 1965); Rreth disa kontradiktave në metodat e mësimit dhe të edukimit (1970); Mbi karakterin kombëtar të edukatës” (1979); “Rreth edukatës qytetare” (1981); “Teoria dhe metodika e edukatës” (1985); “Si sillemi, ç’zakone ndjekim?” (Rreth edukatës qytetare, 1986); “Kë edukojmë, si edukojmë? (Bashkëbisedime për edukatën, 1987); “Edukata me syrin e popullit” (1988); “Për rininë dhe me rininë” (1991); “Edhe engjëlli, edhe djalli janë brenda tek i gjalli” (1995); “Dashuria, seksi, studentët e mi” (1999); “Periudha e tranzicionit demokratik dhe psikologjia e shqiptarëve” (2001); “Divorci – vrojtime dhe refleksione (bashkautor me dr. Lekë Sokoli, 2001); “Përgjigje letrave rinore” (2001) etj. –
Hamit Beqja, në vitin 1970 ka marrë titullin “Profesor”, në vitin 1984 i është dhënë titulli “Mësues i Popullit”, në vitet ‘80-të ka fituar dy çmime të Republikës dhe në vitin 1988 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.