Në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, u prezantua sot drejtori i ri, i sapoemëruar në këtë detyrë nga Kryeministri Edi Rama. Ai është Dritan Sejko, i cili deri tani mbante postin e Zëvendësdrejtorit të Hipotekës Tiranë. Sejko zëvendësoi në këtë detyrë Isuf Shehun, i cili e mbante këtë post që prej muajit shkurt të këtij viti.
Në ceremoninë e prezantimit të drejtorit të ri të AKU-së, ishte i pranishëm dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili duke falenderuar Shehun për punën e tij në këto 7 muaj e duke pranuar dorëheqjen e tij për arsye personale, i uroi Sejkos suksese në vazhdimin e ecurisë së AKU-së.
“Drejtori i ri i këtij institucioni do të çojë më para zhvillimin e tij dhe projektet e lëna në mes nga paraardhësi i tij, z.Shehu”, deklaroi ministri, duke shprehur vlerësimet e tij edhe për stafin e këtij institucioni.
Sejko deklaroi para stafit të AKU-së, se do ta çojmë përpara institicionin dhe projektet e papërfunduara të Shehut, dhe u shpreh, se është optimist për të vazhduar në këtë rrugë.
Ndërsa Shehu tha, se në këtë 7-mujor është përpjekur që ta shndërrojnë AKU-në në një institucion transparent me publikun dhe me institucionet e tjera, si dhe se nismat e nisura, disa u arritën dhe disa të tjera janë në proces.
BW/d.i.