Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Calais, qytet në veri të Francës, duke kërkuar që të mbyllet kampi i refugjatëve i njohur si ‘xhungla’ për shkak të kushteve të vështira të jetesës.
Shoferë, punëtorë të portit dhe banorë lokalë kanë bllokuar disa rrugë të qytezës duke krijuar një zinxhir njerëzor deri në port. Autoritetet kishin paralajmëruar turistët që të evitonin zonat ku manifestuesit do të protestonin.
Xhungla, siç njihet ndryshe kampi, pret çdo ditë mbi 7 mijë emigrantë të cilët vijnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Pjesa më e madhe e tyre duke përfshirë edhe klandestinë shqiptarë synojnë të hyjnë në Britaninë e Madhe në mënyrë ilegale.
Por pjesa më e madhe e refugjatëve vijnë nga shtete si Afganistani apo Afrika, madje mes tyre janë identifikuar 400 fëmijë të pashoqëruar. Vetëm për fëmijët Britania është shprehur se do të pranojë 150 të tillë deri në fund të 2016.
Këtë të dielë,ministri frances i punëve të brendshme Cazeneuve përsëriti edhe njëherë domosdoshmërinë e mbylljes së kampit. Edhe më parë autoritetet kishin paralajmëruar se do të krijoheshin disa strehime provizore.
Javën e kaluar, Britania e Madhe dhe Franca u zotuan të punonin së bashku për rritjen e sigurisë në portin e Calais, përmirësimin e situatës humanitare për mijëra të pastrehë dhe rikthimin në atdhe të emigrantëve të paligjshëm, të cilët do të gjykohen se nuk kanë nevojë për mbrojtje.
shqiptarja.com/d.i.