Certifikata e pronësisë për ndërtimet pa leje dhe për tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi do të jepen brenda 10 ditëve dhe qytetarët nuk do të shkojnë më në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por do të jetë vetë ALUIZNI, që do zgjidhë këtë proces. Marrëveshja e firmosur nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, dhe kreu i Hipotekës, Ilirjan Muho, bëhet efektive nga fillimi i javës së ardhshme (12 shtator) dhe detajon të gjitha veprimet, afatet dhe rregullat për lëshimin e lejeve të legalizimit dhe tapive për banesat.
Vendimi
Sipas marrëveshjes së re, drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, do të paraqesin kërkesën për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit, i cili botohet sot në gazetë. Aplikimi nuk do të kushtojë dhe do të kryhet në formë elektronike, përmes sistemit dixhital. Në të dhënat që shënohen për regjistrim formulari përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, Drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e plotë, i përcaktuar ky edhe në pikën 10 të VKM-së “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Dokumentacionit, sipas kësaj pike, i bashkëlidhet edhe një kopje e printuar e formularit të aplikimit. Aplikimi kryhet vetëm një herë, ndërsa veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.
Afatet
Regjistruesi, brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, Zyra e Hipotekës i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP- së. Regjistruesi, në rast se konstaton që ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë
regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në udhëzim. Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t. Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë.
Leja
Regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit të ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, dhe për këtë mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit, shoqëruar me vërtetimin nga njësia administrative që ky objekt nuk ekziston më. Ky dokument përcillet pranë ZVRPP-së së bashku me dosjen e plotë të dokumentit për pronën. Regjistrimi i lejes së legalizimit të miratuar për objekte, të cilat nuk kanë të përcaktuara marrëdhëniet me parcelën ndërtimore (truallin), bëhet nga regjistruesi në një kartelë tjetër pasurie, duke bërë edhe shënimet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara, sipas rastit në pikat 6 dhe 10 të këtij vendimi. Më pas regjistruesi është i detyruar të lëshojë certifikatë pronësie për objektin e legalizuar sipas radhës procedurale./Shekulli/a.m.