Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, e cilëson ndeshjen me Maqedoninë të një rëndësie të veçantë, aq sa po përpiqet t’i ngulitë në mendje lojtarëve idenë që të hyjnë në fushën e lojës sikur të luanin për finalen e Kampionatit Europian.
“Duhet të përgatitemi mirë për këtë ndeshje pasi në jetë nuk ka gjëra të lehta. Europiani tregoi që mund të ecin përpara edhe ekipet e vogla, nëse kanë dëshirë dhe përqendrim.
Ne do ta cilësojmë ndeshjen me Maqedoninë sikur të ishte finalja e Europianit. Do të gabonim rëndë nëse do ta nënvlerësonim këtë takim me Maqedoninë”, ishin fjalët e tij në konferencën e fundit për shtyp para sfidës.
Duke mos preferuar të japë informacione të hollësishme për skuadrën që do të hedhë në fushë, trajneri ka bërë të qartë se nuk do të ndryshojë shumë gjëra për këtë edicion në krahasim me Euro 2016 ku Shqipëria shfaqi potencialin e saj.
“Ekipi do të jetë i njëjtë me atë që luajti në Europian. U largua Cana, por u kthye Gjimshiti dhe janë afruar Manaj dhe Hyka. Por duhet t’i kushtojmë rëndësi Maqedonisë dhe kësaj ndeshjeje. Është e vështirë të luash kundërshtareve të tillë.
Do të ishte më e lehtë të luaje ndaj skuadrave si Italia apo Spanja, pasi skuadra motivohet vetë. Futbollistët duhet ta kuptojnë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe të japin maksimumin”, tha De Biazi, i cili me sa duket është shqetësuar nga ndonjë shpërqendrim i lojtarëve/ panorama.