Një grua nga Kosova, me vendbanim në Thun (Kantoni Bernë) duhet të ikë nga Zvicra pasi ka përñtuar pa të drejtë mbi 230 mijë franga nga ndihma sociale. Ajo akuzohet për mashtrim të sistemit social të Zvicrës dhe dënimin ia ka konfrmuar edhe Gjykata Administrative e Kantonit, shkruan Thuner Tagblatt.
Fjalët e Gjykatës Administrative të Kantonit të Bernës të shqiptuara të premten në gjykimin e kosovares kanë qenë të qarta.
“Parë nga e drejta e të huajve, veprimi skajshmërisht i paskrupullt kundrejt vendit mikpritës fiton më shumë në peshë. Lidhur me personat të cilët në mënyrë të shumëfishtë, madje edhe të rregullt kanë bërë shkelje ligjore, bazuar në paskrupullsinë e tyre ekziston një interes i konsiderueshëm policor juridik për dëbimin e tyre nga Zvicra”
Për më tepër, te ky rast nuk mund të përjashtohet as mundësia e përsëritjes (recidivitetit), që nisur nga pesha e madhe e shkeljes së kryer, nuk bën të injorohet. Ajo, përkundër kohës së gjatë të kaluar në Zvicër, nuk është integruar. Për këtë arsye, edhe kthimi i saj në Kosovë është realist dhe i pranueshëm. Kjo aq më tepër për faktin se fëmijët e saj tashmë janë të rritur dhe kontaktet me ta mund t’i mbajë edhe nga Kosova.
Gruaja në fjalë kishte ardhur së bashku me fëmijët e saj nga Kosova në vitin 1997, për t`iu bashkuar të shoqit i cili qëndronte këtu nga viti 1993. Të dy e kanë pasur lejen e qëndrimit të përhershëm (Viza C) në Zvicër. Pasi burri, në vitin 2010 për shkak të veprës penale mashtrim i shumëfishtë dhe falsifikim dokumentesh ishte dënuar me heqje lirie, çifti ishte ndodhur sërish para gjyqit regjional të Thunit, në vitin 2013, përcjell albinfo.ch.
Gjykata në fjalë i kishte shpallur fajtorë për mashtrim në “formë industriale” të sigurimit social dhe tentim mashtrimi edhe të sigurimit si invalidë për ç’ka i dënoi të dy me burg. Mbi 230 mijë franga i kanë marrë me mashtrim nga komuna e tyre e banimit, Thuni. Ndërsa shuma që do ta fitonin pa të drejtë nga Sigurimi invalidor po të mos zbuloheshin, ishte rreth 650 mijë franga.
Sipas gjykatës së përmendur, çifti, nga viti 2005 deri në vitin 2009 ka bërë një “Inskenim të vërtetë dhe ka ngritur një “godinë rrenash”. Ata, me përfshirjen e vajzës më të madhe kanë deklaruar para shërbimit social se bashkëshorti pas një aksidenti pune dhe një goditjeje në tru kishte “ishte paralizuar, ishte bërë tërësisht apatik, i papërgjegjshëm dhe nuk mund të fliste”. Por ky inskenim ishte zbuluar pasi që zyra e sigurimit të invaliditetit e kishte përcjellë atë dhe zbuluar se ishte plotësisht i aftë për pune. Pas dënimit me burg, edhe autoritetet komunale ua hoqën të drejtën e përhershme të qëndrimit (vizën C). Pa sukses kishte rezultuar ankesa që ata kishin bërë në drejtorinë policore dhe ushtarake të qytetit, përcjell albinfo.ch.
Edhe ajo kishte konstatuar se bëhej fjalë për një borxh të lartë ndaj shtetit dhe shkelje të rëndë, duke vënë edhe afatipër dëbim të tyre.
Burri e kishte pranuar dënimin ndërsa gruaja kishte bërë ankesë në Gjykatën Administrative të Kantonit, e cila. Siç u tha tashmë, e ka hedhur poshtë ankesën. Kosovarja ka edhe një muaj afat për të bërë ankesë në Gjykatën Federale.
albinfo/d.i.