Një buxhet prej 600 mijë eurosh, i cili dot investohet për rehabilitimin e poliklinikës së qytetit të Peshkopisë, pritet të sjellë një shërbim më cilësor për pacientët që do ti drejtohen shërbimit parësor.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune që ka kryer në këtë qytet, ka folur mbi investimet që pritet të nisin përgjatë muajit të ardhshëm si në poliklinikën e qytetit, sistemin e urgjencës, ashtu edhe në qendrat shëndetësore të rrethinave. Kreu i shëndetësisë ka pohuar se me fondin prej 600 mijë eurosh do të bëhet i mundur rikonstruksioni total i poliklinikës dhe më pas faza e dytë e pajisjes me aparatura.
“Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë që lidhet me kujdesin shëndetësor, në këtë rast është spitalor por është vijimi i sistemit të referimit nga ju tek mjeku i familjes në poliklinikë. Të hënën e ardhshme, është gara publike për rikonstruksionin e poliklinikës së spitalit të Dibrës. Janë 600 mijë euro ku parashikohet një rehabilitim me themel i Poliklinikës. Pastaj, do të shoqërohet me një tjetër mundësi, paratë janë të siguruara, me 400 mijë euro pajisje për Poliklinikën e spitalit të Dibrës,” është shprehur Beqaj.
Sipas kreut të shëndetësisë, “kjo do të thotë që kemi një poliklinikë shumë më të mirë dhe pastaj, hapësira që zë sot poliklinika në spital do të krijojë mundësitë që të zgjerojmë dhe shërbimin e gjinekologjisë,” ndërkohë që investimet kanë filluar edhe për rehabilitimin e qendrave shëndetësore në Maqellarë dhe Kastriot.
Por këtë javë, sipas ministrit Beqaj, do të nisë edhe riorganizimi i sistemit të organizimit dhe funksionimit të shërbimit të urgjencës mjekësore në Bashkinë e Dibrës, ku të gjitha autoambulancat nuk do të jenë më të stacionuara vetëm pranë spitalit të qytetit, por edhe në shumë pika të tjera, në mënyrë që të shkurtohet koha e mbërritjes së urgjencës drejt spitalit. “Siç jeni njoftuar, nga java e ardhshme, edhe shërbimi i urgjencës, kalon në një nivel të ri në të gjithë Dibrën. Autoambulancat nuk do të jenë më të stacionuara vetëm në spital, por të paktën nga mëngjesi deri në darkë, do të vendosen në disa pika të territorit të bashkisë që të paktën të kursejmë kohën e vajtjes së një urgjence,” pohoi Beqaj.
Por, mjekët e sistemit parësor në Qarkun e Dibrës, kanë qenë edhe përfitues të çantave të urgjencës, të cilat janë të pajisura me të gjitha mjetet dhe aparaturat e nevojshme për dhënien e ndihmës së parë, por edhe përcaktimin e shpejtë të diagnozës tek pacientët. Ministri i Shëndetësisë ka pohuar se përfitues të këtij projekti kanë qenë bluzat e bardha në Fier dhe në Dibër. “Praktikisht, të gjithë mjekët në Qarkun e Dibrës ashtu sikurse në Qarkun e Fierit, pra janë rreth 240 mjekë në të dy qarqet, të cilët janë pajisur me çantat e urgjencës. Është një çantë që ka një set pajisjesh që janë bazike, por që deri më sot na mungonin,” tha Beqaj, i cili theksoi se “kjo çantë me këto pajisje, ju ndihmon juve në radhë të parë, për të vendosur diagnoza më të plota më të sakta, por rrit prestigjin dhe besueshmërinë tuaj si mjekë, për pasojë edhe besueshmërinë tek i gjithë sistemi shëndetësor.”
Ministri Beqaj ka theksuar se të gjitha këto masa po merren për të ofruar një shërbim shëndetësor sa më efikas për pacientët, por edhe kushte më të mira për bluzat e bardha.
Fjala e plotë e ministrit Beqaj:
Vitin e kaluar, në fillim të verës, këtu kemi zhvilluar një aktivitet celebrues me Ambasadorin Zvicerian, ku njoftuam për fillimin e një projekti shumë të rëndësishëm “Shëndet për të Gjithë”. Ky është një projekt që ndihmon në kujdesin shëndetësor Parësor në Qarkun e Dibrës dhe në Qarkun e Fierit. Ky është një projekt që tashmë e keni ndierë si profesionistë, por nëpërmjet jush, po fillojnë ta ndiejnë edhe banorët e Dibrës që këtu ka një përmirësim të kujdesit shëndetësor parësor.
Praktikisht, të gjithë mjekët në Qarkun e Dibrës ashtu sikurse në Qarkun e Fierit, pra janë rreth 240 mjekë në të dy qarqet, të cilët janë pajisur me çantat e urgjencës. Është një çantë që ka një set pajisjesh që janë bazike, por që deri më sot na mungojnë, na mungojnë edhe në spitale. Madje, kjo duket se edhe mua po më hap probleme, pasi mjekët e spitaleve, po thonë se si mund të mbetemi në më mbrapa se mjekët e Parësorit.
Kjo çantë me këto pajisje, ju ndihmon juve në radhë të parë, për të vendosur diagnoza më të plota, më të sakta, por rrit prestigjin dhe besueshmërinë tuaj si mjekë, për pasojë, edhe besueshmërinë tek i gjithë sistemi shëndetësor.
Bashkë me çantat, praktikisht, në muajin tetor rehabilitimi dhe pastaj pajisja e Qendrës Shëndetësore të Maqellarës dhe Kastriotit. Edhe këto e përmirësojnë kujdesin shëndetësor.
Siç jeni njoftuar, nga java e ardhshme, edhe shërbimi i urgjencës, kalon në një nivel të ri në të gjithë Dibrën. Autoambulancat nuk do të jenë më të stacionuara vetëm në spital, por të paktën, nga mëngjesi deri në darkë, do të vendosen në disa pika të territorit të bashkisë, që të paktën të kursejmë kohën e vajtjes së një urgjence.
Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë që lidhet me kujdesin shëndetësor, në këtë rast është spitalor por është vijimi i sistemit të referimit nga ju tek mjeku i familjes në Poliklinikë. Të hënën e ardhshme, është gara publike për rikonstruksionin e Poliklinikës së spitalit të Dibrës. Janë 600 mijë euro ku parashikohet një rehabilitim me themel i Poliklinikës. Pastaj, do të shoqërohet me një tjetër mundësi. Paratë janë të siguruara, me 400 mijë euro pajisje për poliklinikën e spitalit të Dibrës. Kjo do të thotë që kemi një poliklinikë shumë më të mirë, dhe pastaj, hapësira që zë sot poliklinika në spital, do të krijojë mundësitë që të zgjerojmë dhe shërbimin e gjinekologjisë.
Sigurisht, që edhe këto nuk mjaftojnë! Por ne besojmë se jemi në drejtimin e duhur që të garantojmë qytetarët tanë jo vetëm Mbulim Universal, por që gjithësecili të ketë të drejtë për kujdes, por ta shoqërojmë me Aksesin dhe me Cilësinë Universale. Që do të thotë, ta marrin shërbimin cilësor sa më pranë vendbanimit të tyre, dhe besoj, se kjo do të ndihmojë shumë në cilësinë e punës suaj, duke dalë më në pah, si cilësia, ashtu edhe përkushtimi.
Unë do ju kërkoja të vazhdoni të punoni me këtë seriozitet, me këtë cilësi. Do iu falënderoja për gatishmërinë që treguat përgjatë këtij sezoni veror, kur shumica e njerëzve e kanë mendjen tek pushimet, ju përballuat një barrë të madhe, pasi ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe me situata virale.
Edhe një herë faleminderit për atë çka bëni për t’ju shërbyer njerëzve! Ndjesë për ato mungesa që ndeshni gjatë punës suaj, por besoj, se ne jemi të angazhuar që ditë pas dite të rrisim cilësinë dhe volumin e shërbimit që ofrojmë. Faleminderit!
Çfarë përmban çanta e urgjencës, flasin mjekët:
Dy aparate tensioni që janë për fëmijë dhe për të rritur. Për fëmijë ne nuk kemi pasur mundësinë asnjëherë ti kemi nëpër duar, dhe është hera e parë që jemi në kontakt me këtë lloj aparati.
Po kështu kemi një metër shirit që është shumë i rëndësishëm për matjen e perimetrit të barkut, ka dy anët e tij për burrat dhe për gratë, pasi ndryshon në bazë të indeksit trupor që tregon edhe kalimin mbi peshë.
Këtu është otoskopi dhe oftalmoskopi, aparatura që shërbejnë për veshët dhe sytë.
Kjo çantë është e pajisur edhe me çekiçin neurologjik, pulsimetri për matjen e pulsit, kalendari i gruas shtatzënë, termometri elektronik, stetoskopi fetal, glukometri për matjen e sheqerit, i cili është i domosdoshëm për urgjencat tona duke qenë se mund të ketë momente hipoglicemike dhe kjo është kryesore.
Po kështu ka edhe pajisje të tjera si spirometri.