Sot mbahen në Shqipëri zgjedhjet vendore të radhës, nga ku do të votohet për kryetarët e 61 bashkive te reja, te dala nga reforma territoriale , si dhe per anëtarët e rinj të këshillave bashkiakë.
Zgjedhjet e sotme lokale, të shtatat pas viteve ’90, konsiderohen një test i rëndësishëm për vendin pasi lidhen me reformimin e thellë të qeverisjes vendore, por dhe me ecurinë e procesit të integrimit, një vit pas marrjes së statusit të vendit kandidat.
Sipas kodit zgjedhor, qendrat e votimit do të hapen në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00.
Për këto zgjedhje janë regjistruar 3.382.295 zgjedhës, bazuar mbi të dhënat e regjistrit kombëtar elektronik, ndërsa në të gjithë vendin janë ngritur 5299 qendra votimi. Procesi do të administrohet nga 90 komisionet zonalë të administrimit zgjedhor (KZAZ).
Për zgjedhjet e reja janë regjistruar si subjekte elektoralë 62 parti politike, të grupuar në dy koalicione, ndërsa jashtë koalicioneve janë dhjetë parti. “Aleanca për Shqipërinë Europiane” është koalicioni i majtë, i drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën, njëkohësisht Kryeministër i vendit dhe “Aleanca Popullore për Punësim dhe Dinjitet” është koalicioni i djathtë, i drejtuar nga Partia Demokratike, me kryetar Lulzim Bashën