Nga Ministeriali i BE-së në Bratislavë, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati vlerësoi miratimin e reformës në drejtësi. Si një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe kur Shqipëria është në pritje të progres-raportit nga Komisioni Europian, ministri Bushati foli për impaktin e kësaj reforme.
“Rritja ekonomike dhe siguria nuk mund të arrihen pa drejtësi. Shqipëria ka miratuar një reformë gjithëpërfshirëse të drejtësisë që shpresojmë se do të shënojë një hap të ri përpara në procesin tonë të pranimit në BE, dhe do të shërbejë si model për vendet e tjera aspirante. Cilësia e zbatimit të reformës në Drejtësi është e rëndësishme jo vetëm brenda vendit për edhe për ndikimin e saj në sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për rezultate të prekshme në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit”, tha Bushati raporton tch.
Turqia, kriza në Ukrainë dhe strategjia globale e BE-së ishin në fokus të këtij Ministeriali, ku shefi i diplomacisë shqiptare shprehu mbështetjen e Shqipërisë në adresimin e sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve me të cilat përballet sot rajoni ndërsa përmendi disa nga hapat që ka ndërmarrë vendi ynë në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizimit./a.m.