Nga Mentor Kikia
Unë jam një nga ata(që nuk janë pak besoj) që nuk dinë ende ç’ta bëjnë votën e tyre. Zakonisht, kur je i zhgënjyer, ke rezerva, apo mendon se qeveria nuk ka bërë punë mjaftueshëm, i hedh sytë nga opozita. Unë e kam ndjekur opozitën gjatë gjithë kësaj kohe, me shpresën se do të gjej më shumë shpresë se tek qeveria. Por kam parë se ajo vetëm kritikon, madje shpesh edhe me informacione facebook-u, të tipit “qytetari dixhital”, “mësuesi dixhital”, “polici dixhital” etj etj.
Edhe sikur denoncimet të jenë të vërteta, a mjaftojnë vetëm ato? Pra, a mjafton të thuhet se qeveria është e korruptuar, se Rama është i kapur nga oligarkët, se Rama ia ka dorëzuar ekonominë kombëtare pasanikëve të oborrit të tij, se tenderat jepen për klientët e qeverisë, se koncesionet japen për të vjedhur, se policia është e lidhur me drogën….Vetëm të denoncosh, do të thotë që ti kërkon të vish në pushtet, jo sepse je më i mirë, por duke i bindur shqiptarët se ai tjetri është më i keq.
Dhe keni të drejtë të mendoni kështu, sepse në 2005, Berisha u rikthye sepse shqiptarët thjeshtë përzunë Nanon e krimbur në korrupsion. Në 2013, Rama erdhi sepse shqiptarët përzunë Berishën e qelbur edhe më keq se Nano. Pyetja që duhet të bëni tani është; a është qelbur mjaftueshëm Rama sa shqiptarët të mbyllin sytë e ta përzenë, që të lirohet vendi për juve? Unë për vete kësaj pyetje s’i përgjigjem dot. Madje do më dukej fatalitet që ju të vinit në pushtet për këtë arsye.
Por unë kam disa pyetje:
Ju akuzoni qeverinë që nuk i hapi 300 mijë vende pune. Ju, sa dhe si do ti hapni ato?
Ju akuzoni Ramën se po jep koncesione kurruptive. Ju çfarë do të bëni me to, dhe me koncesionet që dhatë vetë në energjitikë, e që po shkatërrojnë çdo lumë, përrua, e çdo park kombëtar.
Ju akuzoni qeverinë se punon për oligarkët, po në parlament përse i votoni pa hapur gojë kontratat që qeveria u ofron oligarkëve, që deri dje ishin klientët tuaj?
Ju akuzoni se Rama ia dha ARMO-n Besos, po ju çdo të bënit me këtë rafineri në këto kushte financiare?
Ju akuzoni Ramën se ka përdorur paratë e koncesioneve për të financuar fushatën, po ju përse nuk propozini një ligj për kontrollin e financimit të partive?
Ju akuzoni se qeveria po largon të rinjtë nga vendi. Po ju si do ta frenoni arratinë?
Ju e akuzoni Ramën se mban ministra e zyrtarë të kurruptuar, po ju përse nuk denoncuat asnjë nga tuajt, e madje pse i keni të gjithë në skuadrën që pret të rimarrë pushtetin?
Ju akuzoni se plazhet janë mbushur me plehra e turizmi ka dështuar. Po ju si do ta zgjidhni këtë gangrenë?
Ju akuzoni se deputetët e Ramës emërojnë njerëzit e administratës mbi baza politike, po përse në grupin tuaj mbani akoma deputetet që dje ishin bërë si drejtorë kuadri edhe për mësuesit, edhe për pastrueset e spitaleve, edhe për policët, duke u bërë neveria e qyteteve?
Ju denonconi se populli është i varfër, por si do ti vini në ndihmnë? Do ta lejoni të vjedhë sërish energji elektrike dhe do të jepni më shumë lëmoshë përmes ndihmës ekonomike, sikundër keni premtuar deri tani?
Ju vajtoni për djersën e fshatarit që shkon dëm, por si do ta mbështesni ju që ta eksportojë prodhimin ai?
Dhe fundit(jo se s’ka më), ju akuzoni Ramën se po vjedh bashkë me Metën, po njerën derë pse mbani sërish hapur për Metën?
A mund të jetë kjo opozitë një opsion më i besueshëm? Apo sërish shqiptarët do të duhet të zgjedhin të keqen më të vogël mes dy të këqijave?