Pak ditë pasi që kreu i shtetit Hashim Thaçi e vizitoi pllakën përkujtimore në Grackë të Vjetër të Lipjanit, ajo u vandalizma deri tash nga persona të panjohur. Presidenti Thaçi, përmes një deklarate për media, ka dënuar dëmtimin. “Është i dënueshëm dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër”, është shprehur presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “çdokush që ia do të mirën Kosovës e dënon këtë akt të papranueshëm”.
Ai ka thënë se incidentet si ky cenojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike që po promovon Kosova, shkaktojnë frikë, zemërim e urrejtje dhe për këto nuk ka nevojë askush në Kosovë.
“Duke promovuar dialogun, pajtimin, bashkëpunimin, luftimin e çdo ekstremizmi, jemi pranuar si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm duke i promovuar këto vlera e ruajmë vendin që e meritojmë në bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të lejojë të pësojë për shkak të një pakice ekstremiste.
“Qytetarët e Kosovës, shumica dërmuese, të gjitha komunitetet, janë për paqe, për stabilitet, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjithë. Vetëm një pakicë fare e vogël ende ushqen ide ekstremiste dhe përjashtim, frikë e urrejtje. Nuk do të lejojmë që kjo pakicë të cenojë ambiciet dhe aspiratat e shumicës së Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit, thuhet se viktimat i shkaktuan “terroristët shqiptarë”, citohet Koha. (b.an)