Partia Demokratike deklaroi sot se në këto 3 vite qeverisje nga Rama, të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë që duan të largohen nga Shqipëria. Në një dalje publike para mediave, zëdhënësja Ina Zhupa pohoi se faktet tronditëse vinë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
“Pas 3 vitesh qeverisje të Edi Ramës, të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë dhe në botë për dëshirën për të braktisur vendin. Ky raport tronditës bëhet i ditur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Organizata Ndërkombëtare e Punës, tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15 29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria. Në raport thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe e besimit për të gjetur një punë.”, citohet në reagimin e PDsë.
Më tej ajo shtoi se: “Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet çdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plaçkisin asetet publike e paratë e shqiptarëve. 300 mijë vendet e punës të premtuara nga Edi Rama 3 vjet më parë, jo vetëm janë harruar por mijëra të papunë janë shtruar si pasojë e taksave të larta, pasigurisë, mbylljes së bizneseve, dhe arrogancës së pushtetarëve. Të vetmet vende pune në qeverisjen e Edi Ramës dhe me bekimin e tij janë ato të kultivimit dhe ruajtjes së hashashit për llogari të një grushti banditësh dhe qeveritarësh. Të rinjtë shqiptare nuk e meritojnë këtë model që ofron Edi Rama, nuk e meritojnë këtë vrasje të shpresës. Rinia duhet të bashkohet, të ngrihet e të marrë fatet e vendit në dorë. Largimi nuk është zgjidhja. Shqipëria mund të ofrojë punë, shpresë e të ardhme për rininë. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.” /r.a