Nga minat e mbetura nga lufta në Bosnje-Hercegovinë janë të rrezikuar më shumë 540.000 vetë. Puna e rrezikshme e çminuesit nuk është për çdokënd. Por ata që e duan këtë punë, janë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetën.
Sabahudin Barakoviq merret me çminimin në Bosnje-Hercegovinë qe 20 vjet. Minat që ka vendosur gjatë luftës, i nxjerr tani së bashku me kolegët e tij boshnjakë, serbë dhe kroatë. “Fusha e parë që kam çminuar ishte në Miqinë, në komunën e Graçanicës, ku gjatë luftës i kam vendosur personalisht minat.“ Sabahudinin e takojmë në lokalitetin Babiqi, në këtë komunë. Këtë vend e vizitojnë çdo fundjavë shumë njerëz. Mirëpo, vetëm disa metra nga shëtitorja dhe terrenet sportive, gjenden fushat e minuara. Hapsirën prej 1.500 metra katrorë e çminojnë tani pjesëtarët e „NN Ivša“ nga Orashje, në krye me Sabahudin Barakoviq.
90% e mjeteve të këtij projekti me vlerë 250.000 marka të konvertueshme janë siguruar nga Gjermania. Pjesa tjetër nga komuna Graçanicë. “Çminimi është prioritet, pasi në këtë rajon ka pasur disa viktima nga minat. Së pari kemi vendosur që të pastrojmë rajonet ku po bëhet kthimi i njerëzve“, thotë Nusret Heliq.
Minat nuk pyesin se çfarë besimi kanë viktimat
Çminuesit në Vis, të mbledhur rreth Sabahudin Barakoviqit, i vlerësojnë përpjekjet e banorëve civilë. Por njëkohësisht kritikojnë krerët politikë, për shkak të interesimit të vogël për punën e tyre. „Më së shumti dua të falënderoj mediat, sepse gazetarët janë ata të cilët më së shumti kanë kontribuar për punën dhe problemet tona“, thotë Sabahudini. Politikanët nuk i vizitojnë çminuesit as në kohën e fushatave parazgjedhore. Kjo do të ishte me rëndësi, sepse ende kemi gati 1.200 metra katrorë të minuara. Mendohet se në këto hapsira akoma gjenden 120.000 mina.
„Minat i vrasin të gjithë – të rriturit, fëmijët dhe të moshuarit. Ato nuk pyesin për përkatësinë fetare. Ne po punojmë në menjanimin e rreziqeve“, thotë Sllavisha Pejanoviq, nga Shekoviqi. Sllavisha është një serb, por “çminuesit nuk kanë ndonjë komb”. “Kjo është një punë specifike dhe ne çminuesit jemi si një familje. Tek ne nuk shikohet se kush çfarë feje ka. Në rend të parë shikohet profesionalizmi. Këtu të gjithë jemi të barabartë dhe i ndihmojmë të gjithë“, thotë Sabahudini.
Ai ka nxjerrë mina edhe në Kubë, Afganistan dhe Irak. Nga Iraku është kthyer në B-H, pas fillimit të sulmeve intensive terroriste të “Shtetit Islamik” në këtë vend. Megjithatë ai thotë se më të vështirë e ka pasur në Irak, për shkak të mosnjohjes së terrenit, të standardeve dhe të temperaturave tepër të larta. Por fillimisht ai është dashur të mësojë sa më shumë për minat.
Së bashku me Sabahudinin në Irak ka qenë edhe 65-vjeçari Mehmed Hasanoviq, nga Zvorniku. Hasanoviqin e takojmë me një detektor në dorë. Në këtë profesion punon qe 19 vjet. “Nëse dikush më pyet se cilin profesion e dua më shumë – të mbjell misër apo të nxjerr mina, unë do të thosha – ika të nxjerr mina.“ Hasanoviqi ka punuar në çminim në B-H, Irak, Serbi dhe Kroaci. Gjatë këtyre viteve ka humbur dy kolegë. “Me duart e mia i kam nxjerrë të vdekur“.
Përgatitja
Ivo Prgić nga Orashje thotë se çminuesit mund të bëjnë punë të ndryshme, por gjatë orarit të punës, më së gjati deri në ora 17:00. Çminuesi duhet të jetë i çlodhur – fizikisht dhe psiqikisht. Por jo të gjithë janë të gatshëm të ndihmojnë. “Kemi takuar edhe njerëz që nuk na lejojnë të kalojmë nëpër tokën e tyre, apo nuk na japin ujë. Por për fat të mirë, shumica janë të mirësjellshëm”.“
Ekipi multinacional „NN Ivša“ nga Orashje shpreson se do të ketë edhe më shumë donacione në B-H. Qëllimi ynë është që të çminojmë të gjithë territorin. Këtë e vështirësojnë edhe lëvizjet e dheut, në veçanti pas shirave të mëdha. Çminuesit duan që ky problem të zgjidhet para se ata të futen në moshën kur nuk mund të punojnë, sepse shumë prej tyre e dinë se ku janë futur minat.
Prej vitit 1992, në B-H nga minat janë dëmtuar 8.000 persona, ndërsa 6.000 prej tyre kanë mbetur invalidë. Zonat më të rrezikshme janë Magllaj, Dobji, Orashje, Velika Klladusha, Lopare, Bosanski Shamac dhe distrikti Brçko./ Deutsche Welle/a.k