Fatmirësisht shpërthimi i raketës Falcon 9 dy ditë më parë nuk shkaktoi asnjë viktimë, por dëmet materiale ishin të konsiderueshme për dy miliarderët e përfshirë në këtë incident, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg.
Raketa kishte në bord satelitin Amos 9 të Facebook dhe plani ishte që ta lëshonte atë në orbitë ditën e shtunë.
Ky satelit do të ofronte internet për 14 vende të varfra në Afrikë dhe Zuckerberg do ta njoftonte këtë nga ky kontinent. Por shpërthimi hodhi në erë jo vetëm raketën e Elon Musk, padronit të SpaceX, Teslas dhe SolarCity, por edhe planet e Mark Zuckerberg për të lidhur me internet afrikanët.
Dëmi që iu shkaktua Facebook nga hedhja në erë satelitit Amos 9 përllogaritet në rreth 200 milionë dollarë nga kompania dhe Zuckerberg nuk mund të fshihte zhgënjimin.
“Tani që ndodhem në Afrikë jam thellësisht i zhgënjyer që shpërthimi i Falcon 9 të SpaceX, që shkatërroi satelitin tonë , që do të siguronte internet dhe lidhte kaq shumë njerëz në këtë kontinent”, shkruan në profilin e vet në Facebook, Mark Zuckerberg raporton tch.
Postimi i tij është lexuar si një fajësi e përgjegjësi e hedhur mbi kompaninë e Elon Musk dhe ky i fundit ka reaguar në një tjetër rrjet social.
“Shpërthimi i raketës Falcon 9 ka nisur në depozitën e oksigjenit dhe shkaqet janë të panjohura deri më tani. Më shumë do të mësohet në vazhdim”, shkruajti menjëherë Elon Musk në Twitter.
Vetë Musk ka humbur 390 milionë dollarë nga incidenti në fjalë, ku përfshihet dëmi materiale nga shkatërrimi i raketës dhe rënia e aksioneve në bursa të kompanive të tij, Tesla, SolarCity dhe SpaceX.