Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Jahmir Hyka, ka folur sot për atmosferën që gjeti në ekip pas debateve të fundit nga largimet e disa kuqezinjve në drejtim të Kombëtares së Kosovës.
“Në grup nuk ka probleme midis kosovarëve dhe shqiptarëve, atmosfera është shumë e mirë dhe nuk ka asnjë shenjë negative.”, ka thënë ai.
Jahmir Hyka i mungon Kombëtares Shqiptare prej një periudhe të gjatë, teksa aktivizimi i tij i fundit datonte më 15 Tetor 2013 në sfidën eliminatore të kampionatit botëror të Brazilit ndaj Qipros, transmeton Super Sport.
“U bënë dy vjet dhe nuk është një periudhë e shkurtër kjo. Gjërat kanë ndryshuar në Kombëtare dhe personalisht më pritën mirë. Më bën përshtypje fakti që lojtarët dinin se çfarë të bënin në fushë dhe u përshtaten shpejt skemave. Arritja e Europianit tregoi që fryma e grupit është e mirë dhe kjo është pozitive.”
“Maqedonia është ekip i fortë dhe vijnë këtu për pikë, por nëse tregojmë lojën tonë si në Europian dalim me fitore.”
Ajo që shqetëson në ecurinë e Kombëtares Shqiptare është mungesa e golit, teksa trajneri Gianni De Biasi provoi disa variante taktike në miqësoren ndaj Marokut.
“Nuk është e lehtë për sulmuesit, pasi nëse luajmë me një sulmues atëherë duhet të mbështesin mesfushorët. Këtë është munduar të na e shpjegojë De Biasi. Ndjehem mirë me skemat e përdorura teksa jemi gjithnjë në proces mësimi.”/a.m.