Nga Lorenc Vangjeli
Gramoz Ruçi është socialist i vjetër. Tepelenas. Ish-antar i Partisë së Punës dhe një nga nismëtarët e shndërrimit të saj në një parti socialdemokrate në fillim të viteve 90-të. Me përjashtim të pak muajve që mbajti postin e ministrit të brendshëm, nuk ka pasur kurrë një karrige në ekzekutiv. Gjithë kohën ka qenë i angazhuar në parti duke mbajtur pothuaj gjithmonë praktikisht numrin dy të saj, pavarësisht emrit të numrit një. Herë shumë në dritë, e herë shumë më i tërhequr në prapaskenë. Shumë aktiv në opozitë, shumë i heshtur kur partia e tij qeveris vendin. Të paktën si rregull, që ka njohur edhe përjashtimet e tij. Portreti i tij i viteve 90-të për socialistët është pak a shumë si portreti i Saimirit dhe Erionit për socialistët e viteve 2000. Në vitet 90-të ndodhi shndërrimi i Partisë lindore të Punës në Socialiste perëndimore; në vitet 2000 e në vijim po ndodh shndërrimi i saj në Socialiste të Rilindur.
Ndonjëherë edhe një akt i vetëm shënjon karrierën politike. Ruç ka pasur të paktën dy të tillë. Emri i tij u lidh me ngjarjen tragjike të 2 prillit 1991, kur u bë i pari politikan dhe ndër fare pak të rrallët mes tyre, (Nano e Meta), që shkuan në sallën e gjyqit. Ruçi hyri në sallën e elektrizuar të gjyqit në Shkodër, në një atmosferë tejet mbytëse për të majtët, të paragjykuar si fajtorë dhe me peshën e gjithë dhunës që ish-komunistët kishin derdhur në të gjithë vendin. Ruçi, edhe pse pa lidhje me ta, pagoi atëheë edhe për një gjë të tillë. që nga ai moment ai meritoi edhe nga armiqtë termin “burrë”, që në Shqipëri ishte maksimumi i komplimentit.
Akti i dytë i tij ishte fjalimi që mbajti në një nga seancat e para të Kuvendit të parë pluralist kur fliste po për ngjarjet e 2 prillit. Deputetët e djathtë po e zhurmonin dhe ai “shantazhoi” njëherë njërin dhe njëherë tjetrin – të dy ish-pjestarë të ish-sigurimit të shtetit – duke ju thënë: Ta filloj me ty? Duke siguruar në këtë mënyrë një sallë që nuk opipëtinte. Si në të gjithë vendet ku fle mëkati, informacioni është pushtet.
Gramoz Ruçi ka dhënë vetëm ca pak intervista të rralla, kurse ekranet e televizioneve e shohin edhe më rrallë në studio debati. Ka bërë përjashtim një intervistë e gjatë në “Panorama”. Për të shkuarën. Detaji që bie në sy është momenti i largimit të të tij të shumëpërfolur nga Shqipëria e vitit 1996. Miqtë e kanë shpjeguar gjithmonë largimin e tij me presionin e jashtëzakonshëm të strukturave okulte të shtetit mbi të dhe familjen e tij, një presion që u shumëfishua mbas zgjedhjeve të majit 1996.
Armiqtë e ironizonin duke thënë se ishte trembur dhe se ishte larguar nga vendi i maskuar si grua. Duke tentuar ta godasin në pikën më të fortë të tij. Pa thënë se në të vërtetë është ulëritëse fakti i përdorimit të strukturave shtetërore për të krijuar frikë.
Ruçi në intervistë jep versionin e tij për ikjen. Që si të gjitha të vërtetat është fare e thjeshtë. Iku për shkak të presionit. Iku se i kërcënohej familja. Iku gjusëm ilegalisht me pasaportën e tij legale diplomatike duke lënë pas një vend të zhytur në krizë e në shumë pikpyetje. Sot, 20 vjet më pas, ato pikpyetje vlejnë për një gjë të madhe, vlejnë për të dhënë një përgjigje jashtëzakonisht të rëndësishme: sa ka ndryshuar Shqipëria në këto 20 vjet!
“Ne socialistët pas 97-ës kemi qenë më tolerantë se tani… Opozita që kemi bërë me Gramozin në vitet 92’-97’ që ka qenë në kohën më të egër të Berishës, ka qenë shumë më tolerante se opozita e Edi Ramës para tre vjetësh”. Në këtë mënyrë ju drejtua publikisht socialisti i vjetër Ilir Meta, socialistit gjithashtu të vjetër Fatmir Xhafaj, në një nga mbledhjet në kryesinë e Kuvendit. Gramoz Ruçi vërteton të njëjtën gjë në lidhje me tolerancën. Dhe duke kujtuar këtë të shkuar, kushdo tjetër që ka minimumin e kujtesës historike, mund të vërtetojë progresin e pabesueshëm që është bërë në 20 vjet në politikë e cila nuk ka më përdorim aq banal e brutal të segmenteve të shtetit ndaj kundërshtarëve politikë. Dhe kjo nuk është pak. Por meqë kjo është një botë kontrastesh, çdo 20 vjeçar i sotëm, i lindur në kohën kur Ruçi detyrohej të braktiste vendin për arsye politike, do të kishte gjithë arsyet e botës të ndjehej i pezmatuar me demokracinë e papërkryer shqiptare. Me pothuaj të njëjtat arsye ekzistenciale si ato të 20 vjetëve më parë ende të parealizuara dhe me të njëjtin ngut për të ikur nga vendi. Për të gjetur shpresë, punë e atdhe gjetkë.
Gramoz Ruçi nuk është ëngjëll. Miqtë e duan edhe më shumë se e meriton ndoshta, armiqtë e fyejnë edhe më shumë se llogaria e tij individuale apo partiake e mëkateve. Me të mirat dhe të këqiat e tij ai është portreti i PS-së së viteve 90’, si numri dy i saj. Në mos përcaktues, ka qenë kushtëzues i emrit të numrit një të partisë së tij. PS-ja e sotme ka portretet e Saimirit të policisë dhe të Erionit të bashkisë, që pak a shumë, ishin krijesa të numrit një të partisë që qeveris vendin. Kohët kanë ndryshuar. Këtë e kupton gjithkush! Publiku ndoshta duhet të presë më shumë se dhjetë vjet për të lexuar intervistën me të shkuar qoftë të njërit, qoftë të tjetrit për të kuptuar progresin e partisë që u rikrijua dikur nga gërmadha e PP-së dhe që sot është bashkautore e reformës në sistemin e drejtësisë.