Sokol Dervishaj do të jetë anëtari më i ri në kabinetin qeveritar. Ai zëvendëson kështu Edmond Haxhinaston në ministrinë e Transporteve, ndërsa lajmi u konfirmuar pas dorëheqjes së këtij të fundit. Dervishaj është një emër jo pak i njohur në LSI. Ai ka qenë një ndër anëtarët themelues të partisë së Ilir Metës dhe ka mbajtur disa funksione të rëndësishme në qeveri që prej vitit 2010.
Sokol Dervishaj ka lindur në Tiranë më 22 Nëntor 1969. Ai ka mbajtur postin e Zëvendës-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës (Shtator 2010 – Prill 2013), i ngarkuar me Çështjet e Energjisë.
Dervishaj ka shërbyer më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme , ku ka kryer detyra të ndryshme si Specialist në Drejtorinë Rajonale dhe më pas Shef i Sektorit të Çështjeve të Sigurisë në Drejtorinë e Bashkëpunimit Euro-Atlantik gjatë viteve 1998 – 2000, Këshilltar i Ministrit gjatë vitit 2003, si dhe Drejtor i Kabinetit të Zëvendës-Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme gjatë viteve 2009 – 2010. Sokol Dervishaj ka shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes në detyrën e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit gjatë periudhës 2000-2002 dhe në Ministrinë e Brëndshme në detyrën e Shefit të Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar gjatë viteve 1997 – 1998.
Dervishaj është diplomuar në vitin 1992 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, Katedra e Gjuhës Angleze. Ai është diplomuar në nivelin Master për Studime Ndërkombëtare në “King’s College”, Universiteti i Londrës (2003), si dhe është diplomuar në fushën e Studimeve Strategjike në “Royal College of Defence Studies”, Londër (2002). Ka ndjekur gjithashtu kursin e nivelit të lartë në Diplomacinë e Mbrojtjes në “Royal Military College of Sciences” dhe “University of Cranfield”, Britani e Madhe (2001), si dhe kursin ekzekutiv të Universitetit të Harvardit, “Shkolla Kennedy e Qeverisjes” (2012). Në vitin 2006 është përzgjedhur “Memorial Marshall Felloë” i “German Marshall Fund of Unites States” në programin e Çështjeve Trans-Atlantike dhe në vitin 2008 ka ndjekur programin e Lidershipit te Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit në Çështjet e Politikës së Jashtme Amerikane.
Ai ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë mandatit 2007 – 2011. Sokol Dervishaj është një ndër anëtarët themelues të Lëvizjes Socialsite për Integrim, ku ka mbajtur dhe kryer funksione të ndryshme.
Nga data 4 tetor 2013 e në vazhdim Zv.Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë deri në momentin që u zëvendësua nga Selim Belortaja. Më pas, Dervishaj ka shërbyer si Shef i Kabinetit të Ilir Metës në Kuvend.