Jo çdo gjë që ndriçon është ar. Bizneset e gabuara dhe shpërdorimet e tepërta e kanë çuar këngëtarin italian Gigi D’Alessio drejt kolapsit financiar.
Mediat italiane bëjnë të ditur se këngëtari është zhytur në borxhe. Kompanitë e tij kanë grumbulluar një borxh prej 25 milionë eurosh.
“Duhet të këndoj 15 vjet për të shlyer borxhet që kam”- deklaroi Gigi D’Alessio.
Gjendja e tij ekonomike i ka rrezikuar edhe miqësinë me Valeria Marinin, të cilës i detyrohet 200 mijë euro, por javës tjetër mund të firmosë me të një marrëveshje për të shlyer borxhin me këste.
Përpos borxhit ndaj Marinit, Gigi D’Alessio ka kredi në shumë banka, një Ferrari për të shlyer dhe një transaksion prej 300 mijë eurosh, që i detyrohet BMW-së për një tjetër makinë luksoze. Në këto kushte, Gigi D’Alessio duhet të punojë për 15 vjet pa shpenzuar asnjë euro.
Ndërkohë bankat kanë konfiskuar troje, apartamente dhe disa kompani të këngëtarit.
BW/d.i.