Kandidati demokrat i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me tregtarë dhe me përfaqësues të biznesit dibranë ku shpalosi dhe platformën e tij. Në këtë takim mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Parashikojmë në programin tonë ulje në maksimum të taksave dhe thjeshtim të sistemit të taksave. S’ka pse të jenë 24 taksa bashkie. Dhe taksat asnjëherë nuk duhet të jenë shkak për të falimentuar biznesin. Sepse fatkeqësisht qeveria e sotme taksën e ka vendosur si mekanizëm edhe për të burgosur. Për ato shërbime që janë në letër dhe nuk ju ofrohen juve, për të cilat ju paguani taksat, nuk do të ketë taksë”- u shpreh Sherefedin Shehu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se arroganca, gjobat, taksat e larta po falimentojnë bizneset dhe kanë mbyllur mijëra vende pune. Basha u ndal dhe tek konkurrenca e pandershme që i bëhet biznesit dibranë ku çdo tender në këtë bashki e merr Sadri Abazi.
“Taksat janë rritur, tarifat janë rritur, arroganca e pushtetit është rritur, represioni është rritur, çmimi i naftës është rritur, çmimi i energjisë është rritur. Po të gjitha këto bien mbi kurrizin e biznesit. Sigurisht që me një analizë të fundit bien mbi kurrizin e çdo shqiptari, se kur është keq biznesi është keq vendi. Kush tjetër përveç Sadriut merr tendera në Dibër? Po mirë, nuk ka biznese të tjera këtu që të gjitha i merr Sadriu? Po kaq është Dibra një katund me Sadriun? Jo more zotëri nuk është kaq. Ka firma Dibra, po s’ka konkurrencë se ka klientelë, se ka korrupsion,”- theksoi Basha. /r.a