Shenjtërimi i Nënë Terezës në datën 4 shtator vjen edhe me pullën e posaçme postare që Posta Shqiptare do të emetojë në nder të saj.
Pulla postare është realizuar nga autori Gentjan Gjikopulli, i cili ka përdorur stilin Rilindas Italian me ngjyrat e ngrohta e sfondin e errët, ndërkohë që drita hyjnore bie mbi veshjen e thjeshte të Nënë Terezës duke njëjtësuar këtë akt shenjtërimi si pjesë të Historisë së Artit dhe asaj Botërore. Kjo pullë është njëkohësisht edhe një vepër artistike e cila vlerëson këtë ditë të shenjtë si një ngjarje shumë të rëndësishme jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në atë botërore.
Posta Shqiptare ka ekskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare, nëpërmjet së cilës pasqyron ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, sportive, shqiptare apo ndërkombëtare.
Nënë TEREZA (Agnes Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997). Misionare katolike e përkushtuar ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe nevojtarëve, lindi në Shkup më 26 gusht 1910 në një familje katolike shqiptare të vendosur atje nga Shkodra. Në 1928 u vendos ne Kalkutë të Indisë ku kaloi të gjithë jetën e saj duke shërbyer dhe përkushtuar të varfërve e nevojtarëve. Nënë Tereza është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, përfitimet dhe shpërblimet prej të cilave i përdori në mbështetje të veprimit të saj humanitar në gjithë botën. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 dhe u varros në Kalkutë. Sot Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe mbi 100 mijë vullnetarë, që veprojnë në rreth 100 vende të botës. Misioni i saj në Shqipëri u hap më 1991 dhe po këtë vit kërkoi dhe mori pasaportën shqiptare. Në tetor 2003 Papa Gjon Pali II organizoi një ceremoni të madhe në Vatikan për lumturimin e Nënë Terezës, ndërsa ajo pritet të bëhet Shenjt në 4 shtator 2016 në një ceremoni të drejtuar nga Papa Francesco në Vatikan. Data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostolik si “Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës”. /r.a
Të dhëna mbi pullën postare:
Data e emetimit: 04.09.2016
Emisioni përbëhet nga 1 pullë
Autor: Gentjan Gjikopulli
Vlera e pullës: 120 lekë
Tirazhi: 39000 pulla (120-lekëshe)
Përmasat e pullës: 31 x 43 mm
Kompozimi i tabakut: 9 pulla në tabak
Kompozimi i tabakut për shërbim postar: 28 pulla në tabak (120-lekëshe)
Karnete: 3000 copë
Çmimi i karnetës: 205 lekë
Zarfe të ditës së parë: 400 copë
Çmimi i zarfit të ditës së parë me pullë: 370 lekë
Shtypur në Shqipëri nga Adel CO