Banorë të fshatit Lekas në rrethin e Korçës dje kanë vënë në alarm policinë, pasi kanë raportuar për vrasjen e dy personave në afërsi të fshatit Tudas. Menjëherë pas telefonatës, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pas krehjes së gjithë zonës, ku thuhej se kishte ndodhur vrasja e dyfishtë, burime zyrtare nga policia e qytetit juglindor pohuan se nuk janë gjetur trupat e viktimave dhe se nuk ka persona të vrarë. Po të njëjtat burime pohuan se alarmi mund të jetë fals dhe se kanë identifikuar shtetasin që telefonoi.
Ndërkohë, grupi i xhirimit të “News 24” është nisur për në vendngjarje, ndërsa gjatë rrugës ka konstatuar një postbllok të ngritur nga një automjet i Ministrisë së Brendshme në dalje të Voskopojës, në vendin e quajtur “Kulet”.
Mësohet se efektivët kontrollonin çdo automjet që kalonte aty. Më pas grupi i xhirimit ka kontaktuar me banorë të fshatit Lekas, të cilët deklaruan se ngjarja është e vërtetë dhe se dyshohet të jetë vrarë një person (jo 2 siç u raportua fillimisht) me mbiemrin Llapanji.
Ata pohuan se viktima merrej me kultivimin e bimëve narkotike dhe se para disa vitesh ai kishte vrarë një person për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Jo vetëm kaq, por banorët u shprehën se trupi i viktimës mund të jetë zhdukur dhe se nuk mund të flasin më shumë, pasi kanë frikë se u ikën koka.
BANORET
Mbetet në kufijtë e misterit ngjarja e raportuar pasditen e djeshme nga banorët e fshatit Lekas të Korçës. Kjo për faktin se dëshmitë e dhëna nga ata dhe policia janë kontradiktore. E ndërsa policia deklaroi zyrtarisht se nuk ka ndodhur krim, banorët pohuan të kundërtën, madje sqaruan se viktima është nga fshati Tudas dhe se është qëlluar për vdekje në fshatin fqinj, Denas.
“Gazeta Shqiptare” ka siguruar dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët pretendojnë se policia po tenton të fshehë ngjarjen, e cila ka marrë shkas nga kontrolli i parcelave me hashash.
“Ka pasur krisma armësh dhe është vrarë një person. Dyshojmë se viktima ka mbiemrin Llapanji. Para disa vitesh ai ka vrarë një person nga fisi i tij po për drogë. Në atë kohë, ai u dënua vetëm me 3 vjet burg, pasi ngjarja u konsiderua si aksidentale”, thanë banorët.
Sipas tyre, viktima e ditës së djeshme merrej me kultivimin e hashashit në këtë zonë. Gjithashtu, banorët e Lekasit deklaruan se në zonën e tyre lulëzon hashashi.
“Persona nga rrethe të ndryshme të vendit, si Fieri, Elbasani dhe Gramshi, kanë kultivuar në zonën tonë hashash. Ata kanë punësuar banorë të zonës, të cilët paguhen nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë në ditë.
Tokat tona janë zaptuar, dhe për këtë jemi ankuar disa herë në komunë dhe polici. Këta të fundit janë në dijeni se çfarë ndodh këtu, por deri tani nuk është marrë asnjë masë, ndaj kemi frikë të flasim më shumë, pasi na ikën koka”, u shprehën banorët./a.k