Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbrojtur idenë e tij për ndërtimin e një muri gjigant në kufirin me Meksikën, gjatë vizitës së tij në këtë vend, ku është takuar me presidentin Enrique Pena Nieto.
Trump ka thënë se me nikoqirin nuk ka diskutuar se kush do të paguante për ndërtimin e këtij muri, nëse ai zgjidhet president në nëntor, raporton BBC.
Ai gjithashtu i ka quajtur meksikanët njerëz “të mrekullueshëm” dhe të “jashtëzakonshëm”, në kontrast me komentet e tij të mëparshme për emigrantët meksikanë, të cilët i ka quajtur “përdhunues” dhe “vrasës”, transmeton Gazeta Express.
Pena Nieto ka thënë se meksikanët janë lënduar nga komentet e miliarderit nga Nju-Jorku, por se e çmon faktin se Trump vërtet dëshiron të ndërtojë raporte të mira.
Vizita në Meksikë e kandidatit kontrovers republikan për president të SHBA’së është kundërshtuar ashpër nga meksikanët e thjeshtë dhe disa figura të larta të vendit.
Trump së fundi ka përjetuar rënie në anketat e opinionit. Edhe në shkallë të përgjithshme, edhe në shtetet e rëndësishme, ai qëndron prapa demokrates Hillary Clinton, e cila gëzon mbështetje të fuqishme në mesin e minoriteteve në SHBA, citohet ”Express”. (b.an)