Nga Irena Shabani
Lekë Dukagjini nuk ka vdekur. Ai la pas Kanunin e tij, i cili nuk u fashit kurrë. Me kalimin e viteve, ai u transformua, u përdhos, u keqinterpretua dhe vetëm sa shtoi numrin e viktimave të pafajshme, herë burra, herë djem të rinj dhe – jashtë çdo rregulli – edhe gra dhe fëmijë. Kanuni është njësoj si një kullë me frëngji të larta dhe me kanata dritaresh të mbyllura, ku drita e diellit hyn vetëm nëpërmjet ndonjë plase. Ai thjesht është zhvendosur nga kullat, për të gjetur strehë në shtëpitë prej betoni të të zotit të hallit ose në shtëpitë ku gjaksit jetojnë me qira.
Nënë Dila 74-vjeçare mban mbi supe fatin e zi të familjes së saj. I biri ka vrarë kur ishte 17 vjeç. Prej asaj kohe dhe sot kanë kaluar 25 vite. Kanë rrjedhur ujëra, kanë ndryshuar stinët, por hasmëria nuk ka mbaruar.
Fillesa
Në vitin 1991, në një fshat të Tropojës, i biri i Dilës, 17-vjeçari P.N, luante me letra me një shokun e tij komshi në të njëjtën lagje. Si shpërblim të lojës, tjetri i jep një 10-lekësh të mbetur nga sistemi socialist dhe të zhvleftësuar nga hyrja e lekut të ri. Në ditët që pasuan, djemtë e vazhduan lojën dhe, në momentin që i erdhi radha për të fituar P.N, ai i ktheu shokut të tij 10-lekëshin që ai i kishte dhënë dy ditë më parë. Aty nisi sherri absurd për atë shumë lekësh që nuk vlente më.
Sherr, i cili degjeneroi në grushta dhe shtrembërim të nofullës së 17-vjeçarit, i cili u rrah barbarisht prej shokut të lojës dhe kushëririt të tij. Me nofull të shtrembëruar dhe me të gërvishturat gjithandej, djali u kthye në shtëpi dhe kaloi dy javë i mbyllur. Pas dy javësh, kur doli, u kërcënua përsëri nga 18-vjeçari dhe u qëllua. Thirrjes së familjarëve të tij për pushimin e kësaj grindjeje absurde nuk ju përgjigj asnjëri prej djemve.
I ndjerë nën kërcënimin e tjetrit, ai në një prej ditëve mori për vetëmbrojtje një thikë të vogël (biçak) me vete. Sherri nisi sapo u përballën përsëri. “Për të zezën e tij dhe për fatin e keq të tjetrit, gjatë sherrit, im bir qëlloi mbi të, jo kurrë për ta vrarë, vetëm për ta trembur, tregon nënë Dila, por biçaku përfundoi drejt e në zemrën e tij. Im bir e la aty në mes të lokalit dhe i gjakosur, pa e ditur se tjetri kishte vdekur, u kthye në shtëpi. Më tregoi se çfarë kishte bërë. Nuk dija ç’të bëja, thotë ajo. Na u përmbys jeta. Kushërinjtë tanë ishin të gatshëm që ta çonin tim bir jashtë kufijve, por ai nuk pranoi. Për të kaluar rrezikun e parë të ndonjë hakmarrjeje të mundshme, ai iku tek motra e tim shoqi”.
Kërkesa për falje
Burri i Dilës u lajmërua nga forcat e rendit për çfarë kishte ndodhur. Kur policia mbërriti në shtëpi, unë i tregova të drejtën, tregon Dila. I thashë të mos e kërkonin, se nuk e kisha fshehur tim bir asgjëkundi dhe u tregova se ku ishte strehuar.
U habitën që u thashë të vërtetën, por nuk kisha si të mos u thosha, kujton ajo. Pas arrestimit, djali i saj ndenji shtatë muaj pa u gjykuar në dhomat e izolimit të komisariatit të Tropojës. “Atje u rrah dhe u masakrua shumë keq, tregon Dila, e cila kujton faktin që, pas dhunës së ushtruar, të birit iu shfaq sëmundja e epilepsisë dhe u masakrua prej policëve, të cilët mendonin se ai po luante lojë.
Ju mpiks gjaku në tru dhe mendja e tij e humbi kthjelltësinë një herë e përgjithmonë. Nga 17 vite, që u dënua në fillim, për shkak të epilepsisë, atij ju ul dënimi në pesë vite. Ndërkohë, në familjen e Dilës, burri i saj dhe djali tjetër (i madhi) u larguan drejt një qyteti bregdetar brënda javës. Paralelisht me këtë, tri herë i shoqi i Dilës i çoi fjalë familjes së të vrarit për ta pushuar çështjen. Nuk mori kurrë përgjigje.
Kur gratë mbetën vetëm në shtëpi, çdo dritare mbeti pa xhama. Qëllonin natën me gurë fëmijë të futur nga familja e të vrarit. “Rrija me sëpatën tek koka”, tregon Dila. Rreth një muaj më pas, gratë e mbetura në shtëpi: Dila, tri vajzat dhe nusja e djalit të madh, mblodhën gjithë rrobat, divanët, dollapet dhe ngarkuan një kamion për t’u larguar nga fshati një herë e përgjithmonë. “E bëmë për të respektuar familjen e të vrarit. I kishim shumë pranë, u larguam për të respektuar dhimbjen e tyre – tregon ajo. Kur kamioni ishte në ecje, çdo gjë në rimorkion e tij mori flakë, pasi na hodhën lëndë djegëse. Zbritëm të gjitha nga kabina, ndërsa kamionin dhe gjithshka që kishim e pamë të digjej para syve tanë. Përfunduam në Lezhë, pa asnjë rrobë për t’u ndërruar, tregon Dila.
Jeta pas kësaj ishte një vuajtje e vazhdueshme, ku hakmarrja hyri në mes. I biri kaloi pesë vite në burg, por kur doli prej andej nuk ishte më i njëjti. E shkatërroi vdekja e të atit, i cili u varros pa e parë kurrë. Kur doli, mendjen nuk e kishte më të kthjellët; sëmundja e epilepsisë u shoqërua dhe me agresivitet nga ana e tij.
Dila tregon duart e saj të holla, që kanë një dridhje të lehtë dhe thotë se, së bashku me të birin tjetër, e kanë lidhur në krevat, nga frika që kishin se mund t’i qëllonte të gjithë, derisa ka ardhur ambulanca dhe, pas vizitës, e kanë shtruar në spitalin psikiatrik.
Gjakmarrja e munguar
Kanë kaluar 25 vite që nga koha kur ka ndodhur vrasja, por Dila thotë se gjaku nuk u është falur. Nëna e të vdekurit në atë kohë u betua mbi varrin e tij se do t’i merrte hakun. Por vëllai i tij, i cili ka tre djem, nuk ndërmori asnjë veprim. I vetmi rast, tregon Dila, ka ndodhur në Shëngjin, ku një djalë i panjohur, i paguar nga kushërinjtë e të vdekurit, ndoqi për të vrarë vëllain e P.N. Im bir e kuptoi, thotë Dila dhe kërkoi ndihmë në një shtëpi të panjohur.
Gjeti aty vetëm nusen dhe një djalë të vogël në djep. Ajo lajmëroi familjarët e saj dhe i vëllai i P.N nuk u godit. “Janë kushërinjtë e të vrarit që jetojnë jashtë dhe kanë lekë, ata janë të gatshëm të paguajnë për të larë gjakun”, thotë ajo.
Dila tregon se një arsye tjetër që gjaku nuk është falur janë dhe nxitësit e gjakut. Na kanë treguar se, sa herë që familja e të vrarit ka pasur një sherr, përgjigja e personave-palë e konfliktit ka qënë “ju nuk merrni dot gjakun e djalit tuaj dhe doni të hakmerreni kundër nesh”. Po kështu, ka shumë njerëz, që i pyesin, edhe në kohë të qeta, se çfarë do të bëjnë për gjakun e derdhur, rrëfen Dila.
Djali tjetër i Dilës sot është polic. Atë e mbron arma, por frikën të keqes ia ka. I biri ka një djalë 18 vjeç, të cilin e ka çuar në Gjermani për ta mbajtur larg ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Dila jeton në një shtëpi me qira së bashku me të birin P.N.
Ajo merr një pension prej 14 mijë lekësh, ndërsa i biri merr asistencë mjekësore 9 mijë lekë. Me këto para Dila paguan qiranë 10 mijë lek dhe me të tjerat ushqehen. Ajo tregon se jeta e saj ka qënë një vuajtje e madhe pas gabimit fatal të të birit.
Pyetjes nëse një ditë familja e të vrarit do të hakmerrjej dhe a do të donte ajo ta vazhdonte gjakmarrjen, i përgjigjet: “Kurrë nuk do ta vazhdoja. Nuk do doja t’i bëja askujt diçka, që nuk dua të më ndodhë mua. I forti dhe trimi falin!”
Familjet e ngujuara, 22 për qind më pak në tre vjet
Pjetër Gjoka, zëvendëskryetar i përgjithshëm i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe kryetar i degës së Lezhës, thotë se gjakmarrja në rang kombëtar është një shqetësim. Ai shpjegon se familjet e ngujuara në janë 9.330, nga 12.008 që ishin në 2013.
Janë 430 fëmijë të ngujuar, të cilët nuk ndjekin shkollën ose e ndjekin pjesërisht atë.
Shkaqet kryesore që kanë sjellë këto ngujime janë disa: Të ngujuar për probleme pronësie toke në fshat – 22 për qind; për pronësinë e tokës në qytet – 14 për qind; për vrasje – 13 për qind; për çështje nderi – 15 për qind; për trafik femrash – 20 për qind; të trashëguara nga e shkuara – 5 për qind; të çastit – 8 për qind; të tjera – 3 për qind
shqiptarja.com/d.i.