Një tjetër kopësht në kryeqytet ka marrë një pamje krejt të re falë ndërhyrjes së bërë nga Bashkia e Tiranës. Kopshti “Beni ecën vetë” në njësinë nr. 1 është kthyer në një hapësirë cilësore për fëmijët, duke ofruar ambiente të brendshme tërësisht të rikonstruktuara, me një kënd lojërash. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr. 56, theksoi se bashkia po mban premtimin për rikonstruksionin e 23 kopshteve para nisjes së vitit të ri arsimor.
“Kopshti ‘Beni ecën vetë’ është kopshti i 18 që rikonstruktojmë nga 23 gjithsej. Kemi edhe një javë kohë për të mbyllur 5 kopshtet e mbetura dhe për të mbajtur 100% premtimin tonë për rikonstruksionin nga e para të të gjitha kopshteve të Tiranës. Kur fëmijët të kthehen nga pushimet javën tjetër, jo vetëm këtu në Njësinë nr. 1, por në të gjitha njësitë e Tiranës, do të gjejnë infrastrukturë moderne dhe besoj se, ashtu siç ka edhe emrin, kopshti ‘Beni ecën vetë’, ky është edhe qëllimi i bashkisë, që në Tiranë çdo fëmijë të ecë vetë, të ketë të njëjtin shans si në Shkozë, si te Ali Demi, edhe në qendër të qytetit”, tha Veliaj. Sipas kryebashkiakut, fëmijët janë e ardhmja e qytetit nesër, ndaj kujdesi për këtë brez është parësor për Bashkinë e Tiranës.
“Ky qytet do të ketë fytyrën dhe të ardhmen që kanë fëmijët sot. Nëse i trajtojmë fëmijët me qytetari, me kushte dinjitoze, do të kemi një lidership më të mirë për Shqipërinë dhe për qytetin e Tiranës”, u shpreh ai. Veliaj vlerësoi në mënyrë të veçantë edhe kontributin e dhënë nga biznesi kryeqytetas, i cili është treguar i gatshëm për të mbështetur nismat e bashkisë. “Kur para një viti menduam si do t’i kërkonim ndihmë komunitetit të biznesit, shumë skeptikë thanë se në Shqipëri nuk ofrohet njeri. Por, ja që në Shqipëri paska bujari, paska njerëz zemërgjerë, që i kanë dhënë këtij komuniteti mbrapsht në punë konkrete, institucione sociale kaq të mira sa ky kopësht”, deklaroi ai.
Veliaj kujtoi se falë këtij kontributi në një vit punë, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha çerdheve dhe kopshteve, e tashmë fokusi do të jenë shkollat e të gjitha niveleve. Ai falenderoi dhe vlerësoi punën e bërë nga i gjithë stafi i institucioneve sociale dhe arsimore të kryeqytetit. Deputeti i PS-së, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e investimeve për fëmijët.
“Investimi për fëmijët është investimi më i mirë për gjeneratat e së ardhmes dhe më vjen mirë që ky kopsht është një model i shkëlqyer për të gjithë komunitetin këtu, për shkak të ambienteve të rikonstruktuara totalisht brenda, por edhe për shkak të një këndi lodrash, që fëmijët e kanë këtu dhe i krijon mundësi prindërve, gjyshërve që të sjellin fëmijët e tyre, me orare të ndryshme dhe të shfrytëzojnë hapësirën totalisht të paqtë, që është krijuar këtu. Doja të falenderoj të gjithë njerëzit që kanë kontribuar për këtë kopsht dhe mbi të gjitha të shpreh edhe angazhimin tim për të vazhduar, për të punuar së bashku, për të mbështetur Bashkinë e Tiranës, në secilën prej nismave të saj”, tha ai.
Falë këtij rikonstruksioni është bërë mundur që kopshti nr. 56, të garantojë ambiente cilësore për fëmijët e njësisë nr. 1. Ndërhyrja ka nisur nga pjesët e brendshme të kopshtit, duke bërë rikonstruksion total të kuzhinës, parketit, tualeteve, rrjetit elektrik e hidraulik, e deri tek ambientet e jashtme ku është krijuar një kënd lodrash për fëmijët.