Fushata e ndërmarrë në fund të vitit 1973 për të forcuar kontrollin në botime, interpretime e krijimtari artistike të çdo fushe, iniciuar nga kupola më e lartë e regjimit komunist, dhe firmosur nga Ramiz Alia, iu zbulua dje lexuesve përmes një dokumenti sekret publikuar për herë të parë në Shqiptarja.com.
Ndërsa botohet pjesa e dytë e këtij dokumenti që mban datën 12 dhjetor 1973. Në këtë pjesë të dytë jepen direktivat e Komitetit Qendror për kontrollin që duhej ushtruar në Radio Televizionin Shqiptar, si një prej levave kryesore përmes të cilit bëhej propaganda. Orientimet për një kontroll të rreptë të RTSH-së jepeshin për të gjithë gamën e gjerë të programacioneve të tij, të prodhimit të filmave e dokumentarëve, muzikës, etj. Po ashtu pjesa e dytë e këtij dokumenti sjell edhe urdhrat dhe orientimet për të kontrolluar gjithë skenat teatrore, galeritë e artëve pamore dhe shtypin. Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e dytë të këtij dokumenti sekret.
V. – Për Radio-Televizionin:
Plani tematik vjetor i programeve letraro-artistike diskutohet në kolektivat përkatëse, në kolegjiumet dhe organizatat bazë të partisë.
1. – Emisionet e folura:
Të gjitha emisionet e folura, para se të transmetohen, përgatiten nga redaktori, sipas kritereve të njohura, kontrollohen nga përgjegjësi i redaksisë, por aprovimin përfundimtar e jep zëvendësdrejtori ose drejtori i drejtorisë përkatëse.
Redaksitë e programacioneve të drejtorive përkatëse, përpara se të përgatisin emisionet për transmetim, pranojnë vetëm ato emisione që kanë kaluar në kontroll, sipas kritereve të përcaktuara në këtë pikë.
2. – Emisionet letraro-artistike:
Emisionet: teatri në mikrofon, teatri i fëmijëve, estrada në mikrofon, heroizmi i popullit tonë në shekuj, fjala artistike në mikrofon, faqe nga libri, emisionet humoristike e të tjera të këtij karakteri, pasi përgatiten nga redaktori ose regjisori, kontrollohen nga përgjegjësi i redaksisë, por aprovimin për transmetim e jep zëvendësdrejtori ose drejtori i drejtorisë përkatëse.
Ky kontroll ushtrohet si për ato emisione që përgatit vetë radioja, ashtu dhe për ato që përgatiten nga teatrot apo estradat e rretheve, pavarësisht nga kontrolli që mund të jetë bërë në këto rrethe nga organet kompetente.
Në Televizion ushtrohet i njëjti kontroll për të gjitha emisionet analoge me ato të Radios si dhe për emisionet e tjera të kësaj kategorie, siç janë koncertet me muzikë të lehtë, koncertet variete, konkurset letraro-artistike etj.
3. – Filmat:
Për filmat që porositen nga firmat e huaja për programet e Televizionit, bëhet studimi i përmbajtjes në redaksinë përkatëse dhe para se të porositen, merret aprovimi i zëvendësdrejtorit dhe drejtorit të Televizionit; lista i kalohet për shqyrtim përfundimtar edhe drejtorit të përgjithshëm.
Para se të përfshihen në programet e transmetimit të Televizionit, filmat që importohen nga jashtë kontrollohen nga drejtoria nëpërmjet një komisioni të caktuar nga drejtori i Televizionit, në të cilin duhet të bëjnë pjesë, veç të tjerëve, dhe përgjegjësi i redaksisë së përpunimit të filmit, përgjegjësi i redaksisë së kulturës, drejtori, zëvendësdrejtori dhe udhëheqësi artistik i Televizionit, një përfaqësues i Kinostudios dhe persona të tjerë kompetentë për këtë problem.
Komisioni jep mendime konkrete edhe për pjesët e veçanta të cilat duhet t’i hiqen filmit para se ai të shfaqet.
Në bazë të vërejtjeve të komisionit, redaksia bën shkurtimet e nevojshme të pjesëve me të meta ideore. Aprovimin përfundimtar për të transmetuar filmin e bën drejtori ose zëvendësdrejtori i tij i Televizionit.
Kur shihet e nevojshme filmat të shikohen edhe nga drejtori i përgjithshëm.
4. – Krijimtaria muzikore:
Të gjitha veprat muzikore që futen në programet e Radios kontrollohen nga një komision i përbërë nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Radios së Brendshme, përgjegjësi i redaksisë së krijimtarisë muzikore, dirigjentët e orkestrës dhe kompozitorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Për këngët e anketës muzikore të muajit, pasi përgatiten nga redaksia e krijimtarisë muzikore, pëlqimin për transmetim e jep zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Radios së Brendshme e në rast nevoje edhe drejtori.
Muzika e huaj që futet për transmetim në fonotekën e Radios kontrollohet nga një komision i përbërë nga drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios së Brendshme, redaktori përkatës, përgjegjësi i redaksisë së programeve muzikore, përgjegjësi i redaksisë së krijimtarisë muzikore e shokë të tjerë kompetentë për këtë çështje. Në rast nevoje merret dhe aprovimi i drejtorit të përgjithshëm.
Edhe në programet e Televizionit nuk përfshihet asnjë emision, që nuk është aprovuar nga ana e këtij komisioni.
Për Festivalin e Këngës në Radio-Televizion ngrihet një komision, i cili përbëhet nga shokë me përgjegjësi dhe specialistë të këtij institucioni, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve e shokë të tjerë të jashtëm. Kryetar i këtij komisioni është drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit.
Aprovimi për të dhënë në publik e për të transmetuar në Radio-Televizion programet e këtij festivali jepet në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.
VI. – Për teatrot:
Repertori tematik vjetor, pasi diskutohet në kolektivin e artistëve, në këshillin artistik dhe në organizatën bazë, i paraqitet për aprovim Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit. Pjesët që do të vihen në skenë bëhen objekt diskutimi në kolektivat teatrale.
Pjesët e reja nga dramaturgjia jonë dhe e huaj, pasi të shqyrtohen nga kolektivi i artistëve e këshilli artistik aprovohen nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit.
Për rivëniet në skenë të pjesëve, pasi vendos kolektivi krijues dhe këshilli artistik i teatrit, merret edhe pëlqimi i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.
Të gjitha premiera shqyrtohen nga këshilli artistik e drejtoria, por para se të jepen në publik merret pëlqimi i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, i cili konsultohet edhe me Komitetin e Partisë.
VII. – Për estradat:
Repertori tematik vjetor pasi diskutohet nga kolektivat e artistëve, këshillat artistike dhe organizatat bazë të partisë, aprovohet nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Materialet e tyre për çdo premierë i aprovon këshilli artistik.
Të gjitha shfaqjet e reja (premierat), para se të jepen për publikun, diskutohen dhe aprovohen nga këshillat artistike dhe drejtoritë përkatëse, por aprovimin e fundit për t’u shfaqur ose jo e jep Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Kjo bëhet në konsultim me aparatin e Komitetit të Partisë.
VIII. – Ekspozitat e arteve figurative dhe simbolet përkujtimore:
Ekspozitat kombëtare të arteve figurative dhe monumentet me rëndësi të veçantë nga cilado organizatë ose institucion që i organizon, aprovohen nga një komision i veçantë, që ngrihet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Aprovimi jepet në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.
Ekspozitat e arteve figurative që organizohen në rrethe si edhe ekspozitat personale aprovohen nga Komitetet Ekzekutive të Rretheve pasi merret edhe pëlqimi i aparatit të Komitetit të Partisë.
Të gjitha ekspozitat e arteve figurative që dërgohen jashtë shtetit aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.
IX. – Për shtypin e përditshëm periodik:
Materialet më të rëndësishme të krijimtarisë letrare e artistike, që botohen në organet e ndryshme, i aprovon kolegjiumi i redaksisë.
*
* *
Zbatimi i këtyre orientimeve, krahas përcaktimin e vënies në jetë në mënyrë rigoroze e pa asnjë lëshim të nomenklaturave të mësipërme, kërkon edhe forcimin e gjithanshëm të punës drejtuese dhe kontrolluese të organeve të interesuara shtetërore e të partisë.
1. Në të gjitha institucionet artistike e kulturore rëndësi të dorës së parë ka detyra dhe e drejta e organizatës bazë të partisë së institucionit për të ushtruar plotësisht rolin udhëheqës e kontrollues mbi tërë veprimtarinë e institucionit, ashtu si dhe në të gjitha ndërmarrjet e institucionet e tjera.
Për këtë, organizata bazë e partisë përcakton edhe format e realizimit praktik të udhëheqjes e të kontrollit mbi të gjithë veprimtarinë e institucionit përkatës, shqyrton sa herë që e sheh të nevojshme vepra letrare e artistike, premiera të ndryshme etj. Në mënyrë të veçantë ajo ndalet në diskutimin e veprave me shqetësime ideore.
Duke ushtruar rolin e saj drejtues e kontrollues organizata bazë e partisë ka parasysh të mos dublojë e zëvendësojë organet e interesuara e përgjegjëse për aprovimin e veprave letrare artistike siç janë këshillat artistike, kolegjiumet e ndryshme e sidomos drejtoritë, të mos u marrë atyre kompetencat e nomenklaturat që kanë, por t’i ndihmojë këto organizma, t’u kërkojë llogari për punën që bëjnë, t’i udhëheqë e t’i kontrollojë.
2. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës si dhe organet e saj në bazë duhet të ushtrojnë në mënyrë më sistematike kontrollin mbi gjithë veprimtarinë e institucioneve kulturore e artistike.
Për këtë, përveç përgjegjësisë që mbajnë komitetet ekzekutive dhe drejtuesit e institucioneve kulturore-artistike në rrethe, ajo duhet të ketë gjithmonë parasysh se mban përgjegjësi të plotë për gjithë veprimtarinë artistike e kulturore, si për atë që e aprovon vetë drejtpërsëdrejti, ashtu edhe për atë që e aprovojnë institucionet e saj vartëse. Prandaj, ajo duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë përmbajtjes së veprave që do të botohen, të dramave e të skenarëve të filmave që do të vihen në skenë e do të ekranizohen, krijimeve muzikore që do të ekzekutohen etj.
3. Një kujdes i vazhdueshëm duhet t’i kushtohet diskutimit të problemeve që dalin nga krijimtaria letraro-artistike, duke futur këtu edhe atë që konsiderohet e papërshtatshme për t’u botuar, ekspozuar ose ekzekutuar.
Sidomos për këtë lloj krijimtarie të fundit, të gjitha institucionet e interesuara, redaksitë e ndryshme etj., herë pas here bëjnë studime për problemet që dalin; organizojnë diskutime e analiza, sipas rëndësisë së problemit, në redaksi, kolegjium, organizatën bazë të partisë si dhe në kolektiv. Për konkluzionet e këtyre, sipas rastit e problemeve, informohen organet e interesuara shtetërore e të partisë në rreth e në qendër, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, aparati i Komitetit Qendror të Partisë dhe i Këshillit të Ministrave.
4. Përgjegjësi të veçantë mbajnë personat drejtpërsëdrejti përgjegjës, që lejojnë të shtypen, të vihen në skenë ose në ekran etj., vepra që konsiderohen të papërshtatshme për brendinë e tyre të shtrembër. Në këto raste, kundrejt këtyre, krahas përgjegjësisë që kanë para partisë e shtetit, të zbatohen dispozitat në fuqi edhe për zhdëmtim material.
5. Krahas kontrollit të partisë e të shtetit duhet të forcohet edhe kontrolli punëtor e i masave mbi krijimtarinë letrare e artistike, si nga forcat që gjenden brenda vetë institucioneve përkatëse ashtu dhe nga ato jashtë tyre.
Në bazë të këtyre orientimeve të përgjithshme, institucionet përkatëse e të interesuara duhet të bëjnë rregulloret e brendshme, të cilat duhet të aprovohen nga organet prej të cilave varen.
ZËVENDËSKRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
XHAFER SPAHIU
(firma, vula)
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
RAMIZ ALIA
(firma, vula)
Tiranë, më 6 dhjetor 1973