Nga Afrim Krasniqi
Në sistemin kushtetues shqiptar pushteti ligjvënës është atribut i parlamentit dhe vetëm në raste emergjence e periudhë të përkohshme kjo e drejtë ushtrohet nga qeveria përmes Aktit Normativ. Institucioni i parlamentit në Shqipëri përbën edhe pikën referuese për vendimmarrjen si dhe zhvillimin e politikës. Për këto arsye aktet e parlamentit kanë vëmendje e rëndësi, si dhe cilësia e tyre reflekton edhe cilësinë e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Mbi këtë bazë Instituti i Studimeve Politike monitoroi dhe analizoi aktivitetin konkret parlamentar në periudhën janar – korrik 2016. Aktet e parlamentit të kësaj periudhe ndahen në katër kategori, në miratim ligjesh të reja (funksioni bazë parlamentar), amendime në ligje të ndryshme (korrigjim të akteve të mëparshme apo ndërhyrje në funksion të axhendës së qeverisë), miratim institucional të konventave, marrëveshjeve, detyrimeve të ndryshme ndërkombëtare, si dhe ndryshime në axhendën parlamentare, në rendin e ditës apo në komisionet e Kuvendit. Kategoria e parë reflekton aftësinë e mazhorancave për të prodhuar politikë e reforma, kategoria e dytë dhe e katërt reflekton nevojat politike të ditës, kurse kategoria e tretë reflekton detyrime e përgjegjësi që burojnë nga marrëdhëniet shtetërore me të tretët, me borxhet, me kreditë, me projektet e huaja të financimit, si dhe me vendime formale të Kuvendit në raport me detyrimet ndërkombëtare.
Referuar të dhënave nga Kuvendi, gjatë periudhës janar – korrik 2016 parlamenti ka miratuar 145 akte, prej të cilave vetëm 19 ligje dhe 25 amendime ligjore. Në total vetëm 29% përbëjnë akte tipike politike parlamentare, pjesa tjetër përbëjnë akte teknike parlamentare. Konkretisht, pjesa më e madhe e akteve janë praktika teknike që lidhen me ndryshime në axhendën e kuvendit, në komisionet e kuvendit, në miratim rezolutash apo vendime për zgjedhje në organe të ndryshme që varen nga Kuvendi. Procedurat parlamentare zënë rreth një të tretën, ku bie në sy çështje të axhendës apo ndryshime në afate ose në përbërje të komisioneve parlamentare. Në 7 muaj janë vetëm dy akte normative, ato të janarit 2016 dhe që lidhen me ndryshime në Buxhetin e Shtetit.
Në analizën e përmbajtjes së akteve, sidomos të ligjeve të reja dhe amendimeve ligjore, bie në sy paketa kushtetuese e 21-22 korrikut 2016. Duke hequr atë (e cila ishte dukshëm produkt ndërkombëtar, jo parlamentar), konstatohet se asnjë ligj reformator i rëndësishëm nuk ka zënë vend në axhendën 7 mujore parlamentare. Konkretisht, janë miratuar ligjet për zejtarinë, për shërbimet, për ndërmarrjet sociale, për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, për shoqëritë e kursim kreditit, për Urdhrin e Psikologut, për të drejtat e autorit, për Garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion, për menaxhimin e kimikateve, luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive, për vullnetarizmin, etj, – secili i rëndësishëm në fushën e vet, por jashtë paketës prioritare të reformave politike të shpallura më 2013 dhe të konfirmuara më 2015. Gjithashtu konstatohet se 6 raste Kuvendi ka punuar me ndryshim emergjent axhende dhe kalim në seancë të ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Në aspektin krahasimor 12 ligje vijuan në praktikë normale, 6 në praktikë të përshpejtuar. Në lexim politik ky është një detaj që flet për problematikë në aftësinë e lidershipit politik të mazhorancës dhe të Kuvendit për të përcaktuara në kohë dhe afate axhendën politike dhe parlamentare, sipas prioriteteve dhe afateve të vendosura më parë. Mungesa e këtyre të fundit, krijon praktika të përshpejtuara, kryesisht në funksion të nevojave të ditës dhe axhendës ditore, – një praktikë tipike e parlamenteve të brishta të Shqipërisë nga 1992-2016.
Referuar ditëve “aktive” dhe “pasive” parlamentare rezulton se ditët me prodhimtari më të lartë parlamentare kanë qenë seancat e 10 marsit (14 akte), 14 prillit (13 akte), 9 maj dhe 2 qershor (me nga 11 akte). Në total vetëm në këto ditë janë miratuar 49 akte sa 14 seanca të tjera të marra së bashku, ku mesatarisht janë miratuar nga 2-3 akte parlamentare.
Në total, nga raporte të tilla lindin edhe rekomandime dhe këshilla, të cilat, elitat serioze politike i konsiderojnë nëse kanë sensin e përgjegjësisë publike. Konkretisht, për shkak se sesioni i vjeshtës 2016 konsiderohet edhe fillimi i vitit elektoral 2017, mazhoranca dhe opozita do të duhej ta përdorin parlamentin më me efikasitet, – mazhoranca për të vendosur në kohë në axhendë parlamentare ligjet reformatore për të cilat është votuar më 2013, si dhe opozita për të ndërmarrë nisma ligjore sipas premtimeve politike post 2013. Kjo do të kërkonte një axhendë intensive parlamentare përgjatë shtator-dhjetor 2016, si dhe paralajmërim publik të kësaj axhende, në mënyrë që vendimet të jenë cilësisht sa më të mira, më të konsultuara, si dhe më përfaqësuese.