Buldozerët me kthetra të mëdha dhe pajisje të tjera të rënda pastruan rrugët e qytetit të shkatërruar italian, Amatrice, duke lëshuar poshtë shtresat e rrezikshme dhe duke pastruar rrënojat derisa investiguesit u munduan të kuptojnë nëse ndërtimet e dobëta kanë ndikuar në shtimin e numrit të të vdekurve.
Ndërkohë, Muzeu Shtetëror i Italisë ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve, derisa të dielën kanë dhuruar fitimet e tyre për këtë vend në ndihmë të rindërtimit të kësaj zone që u shkatërrua nga tërmeti, shkruante Washingtonpost.
Përveç vdekjes së 291 njerëzve dhe qindra të lënduarve në tërmetin prej 6,2 shkallësh të mërkurën, kjo lëkundje rrafshoi tri qytete mesjetare në qendër të Italisë, duke shkatërruar jo vetëm shtëpitë private, por edhe kishat dhe thesare të tjera kulturore shumëshekullore.
Ideja është që të shfrytëzohet arti për artin, duke shfrytëzuar trashëgiminë e pasur shtetërore për të ndihmuar në restaurimin e objekteve të tjera të bukura në qytetet e goditura më shumë. Ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini, ka apeluar që italianët të “shkojnë në muze në shenjë të solidaritetit me njerëzit prekur nga tërmeti”.
Në rrjetin social “Tëitter”, apeli erdhi bashkë me etiketimin “#museums4italy”. Kjo është një prej tentimeve për të ndihmuar në rindërtimin e qyteteve – restorantet në Itali dhe gjithkund tjetër po servojnë pastat “Amatriciana”, pjatën më të famshme të rajonit, me një qëllim tjetër të mbledhjes së fondeve.
Amatrice bart barrën e shkatërrimit më të lartë me 230 viktima dhe qytetin e kthyer në rrënoja. Njëmbëdhjetë të tjerë kanë vdekur në Accumoil dhe 50 të tjerë në Arquata del Tronto, 16 kilometra në veri të Amatrices.
Nata ishte e qetë, për herë të parë pas tërmetit pa pasoja të tronditjes. Në përgjithësi, rajoni ka parë 1 mijë e 820 tronditje, sipas “Institutit Nacional të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë”.
Të shtunën, njerëzit janë lutur, përqafuar, kanë qarë dhe madje kanë duartrokitur derisa arkivolet që bartnin viktimat e tërmetit i çonin në funeral në qytetin Ascoli Piceno. Arkivolet e 35 njerëzve janë dërguar në palestrën e komunitetit – një prej pak strukturave të padëmtuara në rajon.
Peshkopi lokal Giovanni D’Ercole, ka mbajtur meshë me një prej kryqeve që e ka marrë nga një prej kishave të shkatërruara.
Emocione e dhimbje të shumta janë parë edhe nga njerëzit. Një djalosh i ri qante pranë arkivolit të një vajze të vogël. Një grua tjetër me kujdes përkëdhelte një arkivol të vogël. Shumë të tjerë vuajnë pasojat e lëndimeve që i kanë pësuar marrë vetë.
D’Ercole u ka bërë thirrje banorëve që së bashku të rindërtojnë komunitetin.
“Mos u frikësoni të qani dhe të vuani – kam parë shumë si kjo – por ju lutem mos e humbisni forcën”, ka thënë D’Ercole.
“Vetëm së bashku ne mund të rindërtojnë shtëpitë dhe kishat tona”.
Që nga e mërkura, askush nuk është gjetur i gjallë në rrënoja dhe shpresat janë venitur për ndonjë të mbijetuar. Numri i të pagjeturve është ende i paqartë, për shkak të shumë vizitorëve që kishin ardhur për të shijuar verën në malet e Apenine.
Presidenti Sergio Mattarella, të shtunën, ka arritur me helikopter në vendin e ngjarjes dhe kryetari i Amatrices ia ka treguar pasojat e kësaj fatkeqësie.
Presidenti ka shfrytëzuar rastin që të falënderojë punëtorët e shpëtimit, të cilët kanë ndihmuar gjatë tërë kohës. Ndërsa funerali i së dielës ka përfshirë edhe viktimat e Arquata del Tronto.
E të martën një ceremoni përkujtimore – pa trupa – do të mbahet për të vdekurit e Amatrices, përgatiti Koha. (b.an)