DITA botoi sot pagat e reja të sistemit të drejtësisë sipas projektligjit përkatës që pritet të votohet në Kuvend në kuadër të ligjeve që konturojnë Reformën në Drejtësi.
Projektligji parashikon paga që shkojnë nga 300 mijë në 500 mijë lekë në muaj për gjykatësit dhe prokurorët pas miratimit të ligjit.
Por shqyrtimi i këtij kapitulli të P/Ligjit në fjalë nxjerr edhe benefite të tjera për gjykatësit dhe prokurorët.
Magjistratëve do t’u rritet rroga çdo vit fillimisht me 4 përqind e më pas me 8 përqind të pagës bruto.
E megjithëse do kenë pagë kaq të lartë për kushtet e Shqipërisë, magjistratët do përfitojnë sërish shtesë page për çdo fëmijë, deri sa fëmija të mbushë 18 vjeç, madje kur fëmijët shkojnë në shkollë të lartë shtesa në pagë për fëmijët vazhdon derisa këta mbushin 25 vjeç.
Magjistrati përfiton edhe kredi të financuar nga shteti, sapo të ketë mbushur 3 vjet në detyrë. Ligji specifikon madje që kredia llogaritet për shtëpi në qendër të qytetit dhe për më tepër, magjistrati ka të drejtë ta shesë atë, edhe gjatë periudhës së amortizimit të kredisë, pra megjithëse ajo vendoset si kolateral për shumën e marë.
Pjesa e pensioneve është sërish mëse e rehatshme. Sapo del në pension – sansionon ligji – magjistrati merr 6 rroga shpërblim të menjehershëm. Po vdiq pa dalë në pension, shpërblimin e merr bashkëshortja dhe fëmijët.
Pensionin e magjsitratit e merr edhe bashkëshortja apo fëmijët. E ky pension i tij i pleqërisë mund të shkojë deri në 90 përqind të pagës bruto. Burime nga Kuvendi dhe Ministria e Financave të pyetur sot nga DITA konfirmuan këto shifra dhe benefite, por shtuan se kapitulli i shpërblimeve financiare të magjistratëve pritet të rishikohet.