Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve” pritet pas pak minutash të jetë objekt debati në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme. Deri më tani palët mësohet se nuk kanë arritur asnjë akord sa i përket këtij projektligji. Burime nga mazhoranca dhe opozita bëjnë të ditur se pavarësisht kontakteve informale mes palëve, mazhoranca ka vendosur ta miratojë këtë projektligj, sipas formës së paraqitur nga komisioni i posaçëm parlamentarë, draft që ka marrë edhe bekimin e SHBA- BE. Projektligji i vetingut mund të kalojë dhe pa votat e opozitës, pasi duhen vetëm 84 vota, të cilat mazhoranca, PS-LSI-PDIU i ka të sigurta.
Ndërsa demokratët kanë bërë të qartë se nuk do ta votojnë këtë ligj në formën që është miratuar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, pavarësisht se drafti në fjalë ka mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Sipas PD-së, drafti është antikushtetues. Ajo madje nuk ka ngurruar të lejë të kuptohet se nëse miratohet vetting ajo do ta çojë në Kushtetuese. Mësohet se nga PS-ja do të diskutojnë rreth 25 deputetë, ndërkohë që nga PD-ja pritet të diskutojë thuajse i gjithë grupi parlamentarë.
Projektligji i vetingut është cilësuar si një nga më të rëndësishmit nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar që të miratohet brenda gushtit, në mënyrë që të mos digjen fondet e parashikuara për të financuar procesin e rivlerësimit. Por, miratimi i ligjit të shumëdebatuar kaloi javën e shkuar vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk pranoi ta votojë atë nën për nen. Gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, opozita kishte përgatitur një draft me rreth 40 amendamente për projektligjin e vetingut, por ato nuk u pranuan nga anëtarët e maxhorancës dhe i rrëzuan një nga një. Ky fakt bëri që opozita të mos votojë projektligjin në tërësi, duke deklaruar se në nenet e tij shkelet Kushtetuta e vendit.
Me. Ar