Edhe pse Ministria e Financave ka lajmëruar një amnisti për kamatëvonesat e biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka lëshuar ditët e fundit një udhëzim ku lajmëron se, bizneset që nuk paguajnë në kohë detyrimet doganore dhe akumulojnë borxh ndaj institucionit taksambledhës do të paguajnë 6% interes mbi shumën e detyrimit, e njohur ndryshe si kamatëvonesa.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka sqaruar se nëse detyrimi shlyhet brenda muajit, atëherë interesi do të jetë 3.75%. Përqindjet e interesit mbeten të njëjta me ato të aplikuara në gjashtëmujorin e parë raporton Monitor.
Dogana ka azhurnuar interesat e reja të detyrimeve pas një udhëzimi që vetë institucioni nxori muajin e kaluar, ku ripërcaktohet procedura për shpalljen e debitorëve dhe grumbullimin e detyrimeve doganore.
Sipas udhëzimit të doganave, baza mbi të cilën batohet kamatëvonesa janë detyrimet e papaguara (borxhi doganor i importit/eksportit) dhe gjobat e aplikuara.
Llogaritja e kamatave përcaktohet në bazë të normës mesatare të interesit për kredinë, të përllogaritur nga Banka e Shqipërisë.
Për këtë qëllim, Drejtoria e Borxhit në DPD, merr informacionin nga Banka e Shqipërisë dhe azhurnon të dhënat mbi aplikimin e kamatave dy herë në vit, përkatësisht në korrik dhe në janar.
Zbatimi i kamatëvonesës mbi detyrimet e papaguara fillon nga momenti i njoftimit të debitorit për ekzekutimin e vendimit të shpalljes fajtor sipas procedurave të udhëzimit.
Për rastet e lindjes së borxhit doganor për mallrat që janë futur në mënyrë të paligjshme apo nëpërmjet shmangies nga mbikëqyrja doganore, momenti i zbatimit të kamatëvonesës do të jetë çasti i futjes së mallit në mënyrë të paligjshme apo shmangia nga mbikëqyrja doganore.
Për rastet e lindjes së borxhit të akcizës për operacionet e parregulluara, momenti i zbatimit të kamatëvonesës do të jetë ai në të cilin konstatohet lindja e detyrimit të akcizës që i korrespondon momentit kur është vërtetuar se produktet e akcizës janë prodhuar, blerë apo transportuar në mënyrë të parregullt ose janë hedhur për konsum në mënyrë të parregullt.