Rezultati i ndeshjes Sassuolo-Pescara do të ndryshohet, nga 2-1 në 0-3 pas inkuadrimit ilegal në lojë të Antonino Ragusas së Sassuolos.
Zigjelbrit e Sassuolos ia dolën mirë me rezultat të dielën, duke u pozicionuar në vendin e parë në Serie A pas gjashtë pikëve të plota të siguruara nga 2 ndeshjet e para.
Por, gëzimi i tyre zgjati shumë pak, pasi ekipi inkuadroi në lojë Ragusan në 20 minutat e fundit të ndeshjes, transmeton Koha.net.
Mesfushori kaloi tek klubi i Sassuolos nga Cesena më 26 gusht, por kjo erdhi pasi klubi kishte dorëzuar listën me 25 lojtarë në Ligë.
Klubi është dashur të njoftojë Ligën se një prej 25 lojtarëve të saj do të zëvendësohet me lojtarin e ri, por me sa duket, ata nuk e bënë këtë gjë.
Çështja ende është në diskutim e sipër pasi që vetë Sassuolo deklaron se e kanë paraqitur kërkesën. Apeli pritet të vendos nëse vendimi i fundit do të anulohet.
Vendimi për të kthyer rezultatin në favor të Pescaras ka dalë kryekëput nga Liga. Pescara, nga ana e tyre, nuk kanë paraqitur ndonjë ankesë apo veprim ligjor për ndeshjen.
Kujtojmë se në Pescara paraqiten edhe shqiptarët Ledian Memushaj dhe Rei Manaj, skuadër e cila, me rezultatin aktual ka katër pikë. (b.an)