Familja shqiptare vijon të jetë e tronditur rëndë nga ngjarjet e përsëritura të dhunës që shpesh herë përfundojnë dhe në krim. Statistikat që vijnë nga Gjykatat, institucioni ku të dhunuarit kërkojnë ndihmë, janë alarmante.
Gjykata e Tiranës ka urdhëruar mbrojtjen për 67 persona, të cilët janë ndjerë të rrezikuar nga dhuna në familje. Gratë e dhunuara nga burrat vazhdojnë të dominojnë në kërkesën e tyre për urdhër mbrojtje, por fenomeni është bërë shqetësues edhe tek fëmijët të cilët dhunojnë prindërit dhe të moshuarit.
Dhuna në familje vazhdon të prodhojë viktima. E fundit ishte ngjarja e rënde e së dielës në Golem, ku një 73-vjeçar vrau me sëpatë gruan e tij 68 vjeçare.
Sipas policisë autori ka qenë nën efektin e alkoolit, por deklarimi i tij në polici pas ngjarjes ka nxjerre në pah konflikte që çifti mbarte prej vitesh.
Para hetuesve, autori Veli Dervishi ka pranuar krimin monstruoz, ndërsa si motiv ai ka deklaruar se ka qenë xhelozia ndërmjet tyre dhe dyshimet se ai tradhtohej nga bashkëshortja.
Por rasti i një nate më parë nuk është i vetmi që tregon egërsinë e dhunës që ekziston në familjet shqiptare.
Nga statistikat e Gjykatës së Tiranës del qartë se ky fenomen ka pësuar rritje.
Vetëm gjatë muajit gusht, kjo Gjykatë ka lëshuar urdhra të menjëhershëm mbrojtje për 67 persona, të cilët janë ndjerë të rrezikuar brenda familjes.
Të dhunuarit kanë qenë kryesisht gra që kanë kërkuar mbrojtje nga bashkëshortët, por në numër jo të pakët kanë marrë urdhër mbrojtje edhe prindër nga fëmijët e tyre, vjehrrat nga nuset, kunata nga kunata apo edhe vjehrra nga dhëndëri.
Në bazë të statistikave, vetëm për muajin gusht Gjykata ka lëshuar urdhër mbrojtje në 22 raste për prindër, të cilët dhunohen nga fëmijët, raporton “Ora News”.
Në pothuajse në të gjitha rastet, fëmijët dhunues kanë qenë në moshë madhore dhe persona të papunë dhe konfliktet kanë degjeneruar në dhunë pas kërkesave financiare të fëmijëve ndaj prindërve.
Në 38 raste kanë qenë bashkëshortet gra që kanë kërkuar mbrojtje nga bashkëshortët, ndërsa në 7 raste kërkesat janë bërë për persona të tjerë brenda familjes.
Në pothuajse te gjitha rastet, kërkuesve u është dhënë e drejta për urdhër të menjëhershëm mbrojtje, ndërsa çështjet vazhdojnë të gjykohen në procese gjyqësore, derisa të dhunuarve tu sigurohet mbrojtje për një vit më të drejtë ripërsëritje.
Gjyqtarët që shqyrtojnë çështjet civile thonë jashtë kamerave që në pjesën më të madhe dhunuesit kanë qenë persona të alkoolizuar, të papunë por në numër jo të vogël edhe ata që kanë probleme të shëndetit mendor./a.m.