Një “Zorro” me shpatë plastike shkaktoi alarm të madh në aeroportin e Los Angeles në SHBA.
Personi i veshur si heroi legjendar i filmave u arrestua nga policët në aeroport, ndërkohë që dëgjohet në video t’u thotë se shpata ishte plastike. Edhe një grua dëgjohet kur thotë se “ai nuk bëri asgjë”.
Por ndërkohë, dëmi ishte bërë, teksa njerëzit e frikësuar u larguan nga aeroporti, duke përhapur lajmin për një person të armatosur që shtinte me armë.
Policia përgënjeshtroi, duke thënë se nuk pati asnjë person të armatosur dhe asnjë të shtënë.
Vetë “Zorro” deklaroi për televizionin amerikan ABC se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për panikun në aeroport.
“Më kthyen përmbys, më vunë prangat dhe pastaj më thanë se çfarë po ndodhte. Besoj se dikush i ka lajmëruar, duke u thënë se është dikush me të zeza dhe mendoj se janë trembur. Por unë po prisja transportin. Tani jam i lirë. Më shpjeguan se në aeroporte ndodhin çmendurira”, tha personi.
Për shkak të ngjarjes, terminalet u mbyllën dhe u rihapën pas dy orëve.
d.i.