Një sulm ajror ka ndodhur në afërsi të aeroportit në Diyarbakir të Turqisë. Rakteta janë hedhur në afërsi të aeroportit në juglindje të qytetit Diyarbakir. Agjencia e lajmeve Dogan njofton se katër raketa kanë rënë në afërsi të një pikë kontrolli të policisë në aeroport më 27 gusht, duke detyruar pasagjerët dhe stafin e aeroportit që të gjejnë strehim brenda hapësirave të terminalit.
Guvernatori i Diyarbakirit, Huseyin Aksoy ka thënë se nga ky sulm nuk ka pasur viktima dhe se fluturimet kanë vazhduar normalisht. Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Militantët kurdë- të udhëhequr nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit- kanë luftuar më shumë se 30 vjet për një autonomi më të madhe në këtë rajon.
Diyarbakir është qyteti kryesor në juglindje të Turqisë dhe është i banuar me shumicë kurde. Ky sulm vjen vetëm disa ditë pasi Turqia filloi sulmet ushtarake brenda Sirisë, kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe luftëtarëve kurdë. Turqia është duke mbështetur forca në Siri, të cilët po ashtu janë duke luftuar kundër forcave kurde në veri të Sirisë. Zzrtarët turq kanë deklaruar se kanë nisur sulme ajrore kundër IS-it dhe luftëtarëve kurdë.