Në forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërrimi i komandës bëhet javën e ardhëshme, në 1 shtator 2016, në Prishtinë. Komandanti në përfundim të mandatit tashmë më shumë se njëvjeçar Gjeneral-Majori Guglielmo Luigi Miglietta po zhvillon takime lamtumire me autoritetet vendore e zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare.
Gjatë kësaj jave, edhe Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim lamtumire komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin Guglielmo Luigi Miglietta, të cilin e ka falënderuar për punën dhe kontributin në ruajtjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
“KFOR-i mbetet ndër institucionet më të besuara dhe respektuara në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi, duke theksuar se prezenca e NATO-s në Kosovë është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Gjeneral Majorit në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City”, zhvillohet në paraditën e 1 shtatorit 2016, bëhet e ditur sot në ftesën e dërguar.
Përfaqësuesit e mediave janë ftuar që të marrin pjesë edhe në konferencën për shtyp të Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta, Komandantit të Forcës së Kosovës (COM KFOR), në 29 gusht 2016. Komandanti i KFOR-it do të ndajë informacione me gazetarët mbi aktivitetet e “KFOR XX” të ndërmarra gjatë mandatit të tij, është theksuar në ftesën tjetër dërguar më parë.
Gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta mori detyrën e koamandantit të KFOR-it në 7 gusht 2015 nga gjeneral major Franqesko Paolo Figliuolo, i cili nga 3 shtatori 2014 pasoi Gjeneral Majorin Salvatore Farina. Të tre këta komandantë të KFOR-it janë italianë dhe pasonin Gjeneral Majorin gjerman Volker Halbauer, i cili në 7 shtator 2012 mori detyrën e komandantit të KFOR-it, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit. Nga viti 1999 i lirisë së Kosovës, i hyrjes së NATO-s, KFOR kishte edhe komandantë të tjerë.
Komunikata e dërguar nga KFOR theksonte se, Forca e Kosovës, siç është përcaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, do të vazhdojë që në mënyrë të paanshme të përparojë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe të ruajë lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, duke siguruar stabilitet dhe ofruar siguri në Kosovë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë./a.m.