Shefi francez i diplomacisë, Jean Marc Ayrault, përshëndeti sot implikimin e Turqisë në luftën kundër grupit Shteti Islamik në Siri, por paralajmëroi kundër një përpjekje të mundshme të Ankarasë që të zgjidhë çështjen kurde në këtë vend.
“Është një gjë e mirë që Turqia implikohet drejtpërdrejtë në luftën kundër ISIS-it, që e ka goditur fuqishëm”, deklaroi Ayrault në një intevistë për të përditshmen Le Monde.
“Është gjithashtu legjitime që Turqia të garantojë sigurinë e kufirit të saj. Por kujdes me nivelin e dhunës dhe tundimit për të zgjidhur në Siri një pjesë të çështjes kurde”, paralajmëroi ai.
Ushtria turke filloi të mërkurën operacionin “Mburoja e Eufratit” në territorin sirian që synon njëkohësishtë të ndjekë ISIS-in nga kufiri i saj dhe të bllokojë përparimin e milicive kurde.
Ankaraja i konsideron forcat kurde në Siri si të lidhura me PKK-në (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit), organziatë e konsideruar si terroriste në Turqi./a.m.