Nga Lorenc Vangjeli
Po ndodh në Dibër, ka ndodhur më parë në Korçë, por mund të ndodhë dhe në Krujë, në Kavajë, në Koplik, në Konispol apo gjetkë. Nuk ka pikën e rëndësisë lokaliteti. Nuk ngre fare peshë arsyeja. Nuk i intereson askujt lloji; gjithçka që vlen dhe ka rëndësi është gara. Dibra pati fatin që për një sërë rrethanash që nuk nisën me transmetimin e videoskandalit të ish-kryetarit të bashkisë, të ketë zgjedhje të parakohshme lokale. Njëlloj si Korça pak muaj mbasi e majta fitoi pushtetin në 2013-ën dhe ish-kryetari i bashkisë së qytetit u përfshi në kabinetin qeveritar.
Edhe atëherë si tani, e majta dhe e djathta zbritën në kutitë e votimit të supermotivuara sikur ajo të ishte beteja e parë, e vetme dhe e fundit politike në vend.
E majta me avantazhin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme që donte të dëshmonte se rezultati i vjeshtës korçare 2013 ishte fotokopje e rezultatit të verës kombëtare të të njëjtit vit, kurse e djathta që donte të demonstronte të kundërtën. Që donte një motiv propagandistik që të thoshte se fitorja e kundërshtarit ishte e trukuar dhe se disfata e saj ishte e pamerituar. U ndeshën dhe sipas zakonit, kush fitoi festoi, kush humbi tha se u cënuan standartet e zgjedhjeve.
Në një vend si Shqipëria, pavarësisht decentralizimit të pushtetit vendor, pavarësisht pavarësisë së garantuar në kushtetutë dhe në ligj, aftësia dhe mundësia e të zgjedhurve lokalë për të vepruar pavarësisht dhe të pavarur nga Tirana, është pothuaj minimale. Eshtë shumë më pranë të vërtetës të thuhet se kush qeveris në Tiranë, ka një mandat që ngrihet edhe mbi të gjithë të zgjedhurit lokalë, një mandat që nis e nuk mbaron tek ndarja e fetave të buxhetit të shtetit. Qëndrat e reja urbane të qytetave apo dhe stadiumet në Elbasan, Shkodër apo Tiranë, janë vetëm disa nga provat e dukshme të një realiteti që dihet se është kështu. Po atëherë pse këto daulle lufte në Dibër sot si në Korçë nja tre mote shkuar? Pse një luftë e tillë që nuk do të reflektojë pothuaj asnjë ndryshim në Tiranë, që do të sjellë vetëm ndryshimin e ca pak fateve individualë në Dibër dhe që plus minus, çdo gjë do të jetë pothuaj si më parë? Pse ka gjithmonë një fitil që ndizet në Tiranë për të mbërritur në dinamitin e rradhës, në kutitë e rradhës së zgjedhjeve të rradhës? Ka shumë arsye. Ato nisin që me kulturën e ndeshjes politike në Shqipëri që nuk ndan dot detajin nga e tëra, me kulturën e luftës, me kulturën e ndeshjes në çdo ditë si në ditën finale. Gjithçka ngjan si në garën e armatimeve në Luftën e Ftohtë. Asnjëra palë nuk bën pas sepse nuk ka besim tek tjetra. Edhe pse me siguri të gjithë e dinë të vërtetën e thjeshtë se sa më pak Tiranë të ketë në Dibër, aq më shumë dibranët vetë do të merren me hallet e tyre reale dhe jo ato të eksportuara me zhurmë, brohori e bërtitje nga Tirana tek ata. Një eksport që kalon pa asnjë problem nëpër rrugën e Arbrit që nuk ekziston.
Komuniteti dibran është nga më të spikaturit në vend. Mes tyre ka një lloj lidhjeje, harmonie dhe bashkëpunimi që gjendet gjithmonë e më rrallë gjetkë. Ky komunitet është kompakt në Tiranë dhe mes tyre mund të gjesh edhe mendje të mençura, edhe xhepa të thellë nga suksese individuale.
Por e projektuar nga Tirana sot, Dibra ngjan e vogël.
E projektuar nga Brukseli sot, edhe Tirana ngjan e vogël.
Por dhe vetë Brukseli në një plan tjetër krahasimi do të dukej i vogël në këtë dynja plot kontraste befasuese. Ndoshta për këtë arsye, ndoshta për shkak të sistemit të ndryshëm të referencave, sot “provincialët” nuk janë në Dibër. Edhe pse një aksident jo politik i shkaktuar nga një zgjedhje e gabuar politike, solli zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër. Duke prishur pushimet për “provincialët” nga Tirana që për pak ditë do të zhurmojnë, brohorasin dhe bërtasin: Dibra, Dibra Uber Alles! Në kërkim të sovjetikëve të rradhës që do të shkaktojnë garën finale të rradhës.