Besnik Mustafaj, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, i është bashkuar fushatës së kandidatit të djathtë Sherefedin Shehu në Dibër. I tërhequr prej vitesh nga aktiviteti politik, zoti Mustafaj deklaroi në një intervistë për “News24” se tek Sherefedin Shehu pa një shpresë dhe u angazhua, për të dhënë kontributin e tij për shtyrjen përpara të kësaj shprese.
I pyetur nëse angazhimi i tij në politikë do të vijojë, duke patur parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Mustafaj tha: “Zgjedhjet e 2017-ës janë larg. Nuk kam ndryshuar asgjë në vendimin tim për të mos qenë në vijën e parë të politikës, por gjithsesi është një kohë që jep mundësi për reflektim.”
INTERVISTA ME GAZETARIN ENVER DOCI
Zoti Mustafaj, ju jeni angazhuar në fushatën e kandidatit të PD-së në Dibër, përse e morët këtë vendim?
Eshtë një situatë e përgjithshme dëshpërimi në shoqërinë shqiptare dhe unë si demokrat, por edhe si qytetar, si intelektual, nuk mund të pajtohem me një gjendje të tillë dhe mësova se Sherefedin Shehu me kandidaturën e tij, me mënyrën se si po bënte fushatë po ngjallte një shpresë. Unë doja të jepja kontributin tim modest, në shtyrjen përpara të kësaj shprese. E mora dhe si mik i Sherefedinit. Sherefedin Shehu është një personalitet që unë e çmoj shumë prej shumë vitesh dhe besoj se mbështetja e kësaj kandidature është në të mirën e Dibrës.
Ju keni një periudhë të gjatë që jeni larguar nga politika dhe u rikthyet sërish, çfarë ka ndryshuar?
Unë nuk jam larguar nga politika. Shkrimet e mia kanë qenë prezente vazhdimisht, qoftë me kritika për fenomenet që preokupojnë shoqërinë shqiptare, qoftë me fenomenet që preokupojnë Partinë Demokratike, sepse kritikat e mia kanë qenë të herëpashershme edhe ndaj Partisë Demokratike, me qëllim modernizimin, hapjen dhe rindërtimin e saj, në përputhje me sfidat e kohës. Unë vetëm jam larguar nga rreshti i parë i aktivitetit politik, por jo nga rreshti i gjykimit të politikës dhe kontributit të politikës.
Çfarë nuk shkonte që u larguat nga rreshti i parë i politikës?
Kishte shumë gjëra që nuk përputheshin me pikëpamjet e mia dhe mënyrën se si unë mendoj se duhet bërë politika dhe kaq.
Si e komentoni deklaratën e Ramës përpara pak ditës në Dibër, se nuk do të largohet pa ndërtuar Rrugën e Arbrit?
Eshtë cinike për dibranët. Ai nuk ka gjetur vendin e përshtatshëm për tu tallur, sepse për ironi dhe për vënie në lojë Dibra është e para në Shqipëri. besoj se ai ka bërë një gabim ndaj dibranëve, Eshtë fyese për dibranët, për shqiptarët dhe unë shpresoj që dibranët do dinë t’ia japin përgjigjen.
Zgjedhjet e 2017-ës po afrohen, a do të jetë kandidatura juaj në listë për deputet?
Zgjedhjet e 2017-ës janë larg. Nuk kam ndryshuar asgjë në vendimin tim për të mos qenë në vijën e parë të politikës, por gjithsesi është një kohë që jep mundësi për reflektim.
Si i komentoni zgjedhjet në Dibër, a do të ketë manipulime?
Unë nuk kam fakte. Unë jam përgjithësisht nga natyra pozitiv. Unë besoj se vota e dibranëve është e patjetërsueshme. Nuk do të mundet njeri të vërë dorë mbi votën e dibranëve. PD është zotuar përpara dibranëve që ta mbrojë votën e tyre. Observatorë ndërkombëtarë do të jenë këtu. është një rresht i gjatë faktorësh që më bëjnë të besoj se nuk do të mund ta prekin votën e dibranëve.
A mendoni se ka përçarje brenda PD-së?
Nuk mendoj se ka përçarje, nuk kam informacione të ketë përçarje në Kryesinë e Partisë Demokratike. Unë shoh që zoti Basha ka lidership të plotë mbi PD. Cilësia e lidershipit është një gjë që fitohet dhe që historia që po zhvillohet do ti japë mundësinë Bashës të tregojë deri në fund sa i zoti është si lider.