Vazhdojnë hetimet për mbytjen e dy të rinjëve në rezervuarin e fshatit Qatrom në Korçë. Policia tregon se ka nisur procedim penal për tre persona. Policia tha se ka nisur procedimi penal për Administratorin e Shoqërisë, e cila ka shfrytëzuar tokën, gjithashtu ish-Kryetari i Komunës Drenovë, si edhe Administratori i kësaj Njësie Administrative, për “Shpërdorim detyre” .
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin për veprën penale: “Shpërdorimi i tokës”ndaj shtetasit V.K, 53 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Administrator i një shoqërie private, në fushën e qeramikës.
Nga verifikimet e kryera kjo shoqëri, ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, si edhe në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, pikërisht në gropën ku humbën jetën, dy kushërinjtë.
Gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale: “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të shtetasve F.S, 57 vjeç, banues në Korçë, me detyrë ish-Kryetar i Komunës Drenovë dhe M.M, 31 vjeç, banues në fshatin Qatrom, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Drenovë.
Shtetasit e lartpërmendur, duke qenë me detyrë Kryetar dhe Administrator, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar, në territorin e kësaj njësie”. /r.a