Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban është shprehur se shteti hungarez nuk ka ndërmend të lejojë kalimin e emigrantëve përgjatë kufirit jugor me Serbinë.
Ai informoi se në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë do të ngrihet një mur i dytë, paralel me të parin, që u ndërtua gjatë vitit të shkuar.
Orban tha se kjo masë ka për qëllim parandalimin e valës së madhe të emigrantëve që mbërrijnë në Hungari. Ai ka shtuar se ka ndërmend të rrisë stafin e policëve që shërbejnë në kufi.
Hungaria ka ndërmend që nga 44 000 policë që ka aktualisht në kufirin serbo-hungarez, ta çojë numrin në 47 000, raporton RT. Kreu i ekzekutivit ka pasur edhe një mesazh për emigrantët.
Ai theksoi se nëse ata nuk ikin me fjalë, atëherë do të përdoret edhe dhuna. Viktor Orban vlerësoi se kjo masë e shtetit që ai drejton vjen në kohën që pakti mes BE-së dhe Turqisë për emigrantët, thuajse po dështon.
Për Orban, skema e përgatitur nga BE-ja dhe Turqia mund të hapë rrugët ballkanike për të dyja vendet. Qeveria në Budapest është shprehur paraprakisht se nuk është dakord me planin e masave të përgatitur nga Bashkimi Evropian. Kreu i qeverisë së Hungarisë tha se vendi i tij nuk do të strehojë emigrantë.
Sipas planit të përgatitur nga ana e Bashkimit Evropian, masa e ardhur e emigrantëve nga kontinentet e tjera të Evropës, do të shpërndahet në mënyrë proporcionale mes vendeve. Kjo çështje është dërguar për referendum, i cili do të mbahet më datë 2 tetor 2016. (b.an)