Darka me të ftuarit specialë me rastin e 25-vjetorit të Partisë Socialiste ka qenë e mbushur me batuta dhe gjysmë të vërteta të thëna përmes humorit.
Protagonist i tyre, ishte si gjithmonë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pas nisjes së darkës, filloi sipas zakonit që të ngrejë dolli për disa nga personazhet e spikatur të Partisë Socialiste.
“Panorama” shkruan se në krah të tij, Rama kishte profesorin e socialistëve, Servet Pëllumbin, me të cilin nuk kurseu batutat në lidhje me librin e tij të fundit që tregon një pjesë të rëndësishme të historisë së Partisë Socialiste në vitet 1992-1996. Porosia e tij ishte që të mos shkruajë libër tjetër që, sipas rrjedhës historike të kësaj partie, do të kishte protagonist vetë Edi Ramën.
“Një dolli për profesor Servetin! Profesor Serveti ka shkruar një libër për PS-në. Uroj që mos shkruash librin e dytë dhe të tretë se te njëri prej tyre do të jem unë dhe nuk i dihet si do dal. Librin e profesorit nuk e kam lexuar, por kam lexuar përgjigjet e Sabitit. E kam thënë që herët, mjerë ai që zemëron Sabitin se është zemërim labi!”, mësohet të jetë shprehur Rama gjatë dollisë që ngriti për Servet Pëllumbin.
Edhe me ish-ambasadorin Bashkim Zeneli nuk kishin munguar batutat që lidheshin po ashtu me historinë e Partisë Socialiste dhe të vërtetat e saj.
“Një dolli për ambasador Zenelin! Librin tënd ambasador nuk e kam lexuar, por lexova përgjigjen tënde”, i është drejtuar Rama Bashkim Zenelit. Libri i profesor Pëllumbit, në formën e një ditari politik, krijoi reagime të forta nga disa prej eksponentëve të Partisë Socialiste, pjesë e forumeve drejtuese, e cilësuan si subjektiv dhe të njëanshëm.
Për librin e fundit të profesor Pëllumbit “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, kanë reaguar edhe Moikom Zeqo, Ndre Legisi, por dhe Luan Hajdaragaj, të cilët ishin prezentë në këtë darkë festive. Ndre Legisi e ka cilësuar librin me shumë të pavërteta për historinë e Partisë Socialiste.
Ndërsa Moikom Zeqo i ka cilësuar të vërtetat e përshkruara në libër si relative dhe jo absolute.
“E lexova librin e mikut tim, Servet Pëllumbi. Shekspiri ka thënë që e vërteta nuk është asnjëherë absolute, por vetëm relative. Ato që janë shkruar në atë libër janë larg të qenët të vërtetat e historisë së Partisë Socialiste në vitet e para të pluralizmit”, është shprehur Moikom Zeqo./a.m.