Refuzimi për të nisur një lidhje dashurie me një djalë 11 vjet më të vogël, i ka kushtuar disa episode dhune dhe gjendje ankthi e frike një 35-vjeçarje nga Tirana.
Vajza me iniciale S.P., e cila punon si ekonomiste në një kompani private, ka denoncuar tre ditë më parë ngjarjen në Komisariatin nr.2, pas episodit të radhës së dhunës, nga 24-vjeçari që e përndiqte.
Burime nga Policia thanë për “Panorama” se mbrëmjen e së hënës është bërë edhe arrestimi i të dyshuarit, Ervis Nuhaj, 24 vjeç, i cili akuzohet për përndjekje dhe dëmtime të tjera me dashje. Burime nga Policia thanë se në kallëzimin e saj, vajza ka deklaruar se përndiqej prej më shumë se 6 muajsh nga i dyshuari.
Fillimisht ai kishte nisur ta shqetësonte me mesazhe në rrjetet sociale, më pas edhe në telefon, herë me numra të fshehtë e herë me mesazhe nga numra të ndryshëm telefoni. E dëmtuara është shprehur se 24-vjeçari, fillimisht e komplimentonte duke i kërkuar një lidhje dashurie dhe me mirësjellje ajo e kishte refuzuar, duke i thënë se kishin një diferencë të madhe moshe.
Ajo shprehet se gjithmonë e ka refuzuar, duke mos i dhënë asnjë shkak që ai të pretendonte realisht një lidhje me të, por sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë shtoheshin shqetësimet, aq sa kohët e fundit ai e priste edhe poshtë pallatit. Këto veprime, vajza thotë se i kanë shkaktuar disa herë gjendje ankthi. Por, duke menduar se ai do të bindej dhe nuk do ta shqetësonte më, nuk e ka denoncuar në Polici.
Ndërsa javën e fundit, përndjekja ishte bërë edhe e dhunshme sipas saj. Disa ditë më parë, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku banon 35-vjeçarja, autori e kishte goditur me shpullë në fytyrë. Edhe këtë herë vajza e ka falur, pasi sipas saj ka qenë në gjendje të dehur, raporton Panorama.
Ndërsa dy ditë më parë, kur ajo vendosi t’i drejtohej për ndihmë Policisë, 24- vjeçari Nuhaj e ka rrahur në publik, duke i shkaktuar edhe shenja në vende të ndryshme të trupit. Sërish motivi sipas saj ka qenë i njëjtë, refuzimi i saj për të nisur një lidhje me të. Ai është larguar vetëm pasi kanë ndërhyrë disa kalimtarë të rastit.
Ndërsa 35-vjeçarja S.P. është paraqitur menjëherë në Komisariatin nr.2, ku ka bërë denoncim për atë që i kishte ndodhur. Pak orë më vonë, shërbimet e këtij rajoni kanë gjetur dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili ka mohuar ta ketë dhunuar vajzën, por ka pranuar se e ka ndjekur disa herë, për shkak se ishte afeksionuar dhe kërkonte një lidhje dashurie me të.