Shpërthimi i një sasie eksplozivi ka alarmuar banorët e Rrugës “Kongresi i Manastirit” në kryeqytet.
Objektiv ka qenë një autobus i një agjencie funerale.
Televizioni Klan ka siguruar pamjet e një prej kamerave të sigurisë që ka fiksuar autorin dhe të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Siç shihet në video, reth orës 03 e 35 një person me pantallona treçerekshe vjen nga pjesa juglindore e rrugës dhe i afrohet autobusit të parkuar tek pjesa e gomës së mbrapme.
Ulet dhe tenton të ndez fitilin e kallëpit të tritolit, proces ky që i merr 34 sekonda dhe largohet menjëherë në drejtimin që kishte ardhur.
Dy minuta më pas tritoli i vendosur në pjesën e sipërme të gomës ka shpërthyer duke shkaktuar dëme materiale në autobus, në një automjet të parkuar në rrugë, si dhe ka thyer xhamat e apartamenteve të katit të parë.
Policia pas marrjes dijeni ka shoqëruar në Komisariatin 4 një person që udhëtonte me biçikletë në rrugicat që të nxjerrin pranë ish profarmës.
Hetimet janë përqendruar në një konflikt për shkak të konkurencës në biznes ndërsa pronari i autobusit shtetasi E. Rexhepi mohon të ketë konflikte./Klan/a.m.