Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot dyshen qeverisëse Rama-Meta se po planifikojnë sipas tij një plan mafioz për të marrë me dhunë dhe terror këto zgjedhje vendore.
Teksa ka përshëndetur raportin e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Kongresin amerikan, për situatën elektorale në Shqipëri, Basha tha se ky raport vërteton problemet aktuale të periudhës elektorale në vend, të denoncuarra sipas tij disa herë nga opozita.
“Përshëndes deklaratën e KSHH në Kongresin amerikan për Shqipërinë, ku thuhet se qytetarëve shqiptarë u duhet bërë e mundur se po marrin pjesë në një proces të pastër, pa kërcënime e manipulime. Fatkeqësisht këto probleme janë aktuale në Shqipëri, citoj këtu deklaratën, dhe do të raportohen”, tha Basha
Sipas tij, kjo deklaratë tregon edhe një herë shqetësimin e ngritur nga PD për përdorimin masiv të administratës publike në fushatën elektorale.
“Përdorimi i administratës është provuar në dhjetëra raste, me urdhërat që kanë marrë për të paraqitur listat e votuesve, të cilët ndryshe rrezikojnë vendin e punës. Faktohet me praninë masive në takimet elektorale dhe me mungesën në postet në institucione. Kjo provohet edhe në dhjetëra takime për shpërndarjen e çertifikatave të shpronësisë”, ka thënë Basha.
E vërtetuar është, sipas tij, është edhe përfshirja e policisë përkrah kandidatëve të partive në pushtet, drejtuesit e të cilës neglizhojnë aktet e dhunës të ushtruara ndaj kandidatëve të opozitës dhe stafeve të saj.
“I tillë është rasti i Sukthit. Ndërkohë, sot, teksa Rama dhe Meta mbanin konferencën e tyre, në të njëjtin moment bandat në Vorë kërcënuan shtabin tonë, duke u thënë të largoheshin nga shtabi i tyre, ndryshe do të hapnin zjarr. Kjo bandë ka 72 orë që është e pranishme në qendër të Vorës, bashkë me forcat operacionale të policisë, që ndonëse vëzhgojnë këta individë, nuk ndërhyjnë. Policia vijon të keqpërdoret masivisht, sepse Rama ka vendosur në këto zgjedhje persona me preçedentë penalë, si për shembull shefi i policisë së Klosit. Ndërsa Ilir Meta ka urdhëruar FNSH-në që të ndërhyjë në Shkodër e Bulqizë, pasi nuk i kanë mjaftuar bandat atje. Edhe dje në Elbasan, një kriminel i njohur është sjellë nga nga britania nga oktapodi Qazim Sejdini dhe ka terrorizuar një lagje të tërë romësh”, ka thënë Basha.