Peshkopia, qyteti i vogël veri-lindor u trondit muaj më parë nga një video-skandal, ku i përfshirë ishte qytetari i parë i saj. Sot, ata janë gati për të votuar për kryetarin e ri,por a do jete vota e tyre ndëshkim për të vjetrin?
Dibranët vlerësojnë të dy kandidatët.
“Të dy i njoh. Janë dibranë dhe që të dy i njoh. Për të dy kam respekt”, thotë një qytetar.
Por ndonjë prej tyre mendon se mund të kishte zgjedhje edhe më të mirë.
“Ka gabuar që ka ardhur nga Tirana këtu. Nuk e merr dot”, thotë një tjetër qytetar.
PD ka gabuar me përzgjedhjen sepse Sherefedin Shehu nuk jeton prej 10 vitesh këtu. Ne duam një banor tonin.
Në qytet punohet. Prej disa kohësh bulevardi i është nënshtruar restaurimit, sipas projektit të qeverisë për Rilindjen Urbane, për ta shndërruar në një pedonale. Për kandidatin e opozites ama,ka një arsye tjetër.
“Edi Rama ka filluar punimet në bulevardin e Peshkopisë. E kishim me asfalt dhe do t’ua bëjë me pllaka. Le t’ua mbajë asfalt, por pse të mos ketë njëherë asfalt këtu”, deklaroi gjatë fushatës në një fshat të Dibrës, kandidati i PD, Sherefedin Shehu.
Pak minuta para mitingut të së majtës, në qytet po përfundojnë edhe punët e fundit ndërsa policia e garda kanë siguruar rrugët kryesore dhe vendin ku do realizohet mitingu.
Kryeministri zgjedh të ecë në këmbë, për të inspektuar punimet përgjatë bulevardit. Ne tentojmë që me kamerën tonë të përshkruajmë bashkë me të këtë pjesë rruge, por nuk lejohemi.
Zoti Rama rikthehet pas një kafeje në Pallatin e Kulturës, për t’u takuar me strukturat e PS në Peshkopi. Edhe këtu hyrja për mediat është e ndaluar.
Për opozitën, që ka zbarkuar edhe ajo në Dibër, fushata ka shkelje dhe ndërhyrje të shtetit.
“Edi Rama e ka bazuar të gjithë fushatën e Dibrës tek bandat dhe kriminelët me të cilët e gënjen mendja se do të frikësojë dhe tjetërsojë vullnetin e votuesve shqiptarë.
Ndërkohë, brenda në miting me regji dhe tekste të kuruara, zhvillohej një spektakël politik që kishte më shumë vlerë për Tiranën. E majta duket e bashkuar sërish.
Në miting, Shukri Xhelili nuk u përmend as për mirë e as për keq. Duket se ai është tashmë një emër i së shkuarës.
“Na ndëshkoi ish-kryetari, por nuk jemi ndëshkuar ne. S’i kam faj kërrkuj unë. Ishte personale ajo e atij që iku. Kandidati tjetër nuk ka pse të mbajë asnjë lloj barre”, thonë qytetarët.
Për qytetin me 13 mijë banorë, ndëshkimi ka një emër tjetër; “duam vetëm punë, punë dhe punë”, thonë qytetarët. /tch