Një ditë pasi Sindikata e Policisë i bëri thirrje efektivëve të uniformave blu të akuzuar për lidhje me krimin, që të ndërmarrin nisma ligjore për pastërtinë e figurës së tyre, Top Channel mori kontakt me disa prej oficerëve dhe zyrtarëve të lartë të përmendur nga opozita.
Disa prej tyre shprehen ‘pro’ ndërmarrjes së padive për shpifje qoftë individuale ose kolektive, por thonë se një veprim i tillë duhet të konsultohet dhe vendoset në bashkëpunim edhe me instancat më të larta në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Po ashtu, ka edhe nga ata zyrtarë të lartë të Policisë dhe shefa komisariatesh që thonë se nuk mendojnë të bëjnë padi, pasi nuk duan të përshihen në debatin politik të ditës.
Me disa deklarata të njëpasnjëshme, opozita ka akuzuar me emra konkretë mbi 30 zyrtarë dhe oficerë për lidhje me trafikantët në kultivimin e kanabisit në vend. Deri më tani në sindikatën e policisë asnjë funksionarë i përmendur nuk ka kërkuar asistencën juridike të sindikatës, e cila i ka kërkuar edhe Prokurorisë që të nisë verifikimet.
Akuzat vijnë në një kohë kur policia deklaron se ka asgjësuar më shumë se 1.2 milionë rrënjë kanabis.
Nga ana tjetër, në një operacion të zhvilluar në rrethin e Kolonjës ku u shkatërruan 17 mijë bimë, operacioni u drejtua nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pasi kishte dyshime se në këtë aktivitet ishin të përfshirë punonjës policie të zonës.
Të kontaktuar zyrtarisht nga Top Channel, burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme nuk pranuan të përgjigjen nëse ka hetime ose jo ndaj akuzave publike ndaj funksionarëve të policisë. /r.a