Nga Ben Andoni
Puna më e vështirë për politikën e vitit 2017, me fillimin e fushatës zgjedhore, do të jetë shpjegimi ekonomik i këtij mandati dhe parashikimi i ardhshëm. Tre vjet e gjysmë më vonë, nga marrja e pushtetit, qeveria që e mori vendin nga “situata katastrofike e financave publike” i duhet të tregojë realisht se çfarë bëri me masat e saj të prezantuara me aq shumë zhurmë dhe sesa frymëmarrje mori ekonomia shqiptare nën frymën e tyre.
Të dy forcat kryesore, në fakt tre, kanë pak argumente dhe shumë fjali tymnaja për të logjikuar një palë mbulimin e dështimit të ekonomisë sonë, kurse tjetra krizën e vazhdueshme që ajo po jeton dhe recetat.
Me të drejtë një nga njohësit më të mirë të situatës ekonomike në vend, Zef Preçi dëshmonte në një shkrim analitik krizën ku jemi e ku rreth 90 mijë biznese në vend, gati 50% e të gjitha bizneseve kombëtare, ishin me status pasiv, që do të thotë pa asnjë transaksion në muajt e fundit; kurse prej 35 mijë makinave nga ku lëshoheshin kuponët tatimorë nuk raportohej prej kohësh asnjë veprim…
Për ata që nuk e lexojnë dot shifrën, kjo nuk mund të përbëjë asgjë, ndërkohë që kjo shpjegon nga një kënd krizën e thellë me humbjen e cilësisë konkurruese të bizneseve kombëtare dhe kthimin e investimeve të huaja në sektorët strategjikë të ekonomisë sonë kombëtare, apo shtimin e kompanive offshore, që do të thotë mungesë të ardhurash në kontributin e pasurisë kombëtare. Pak ditë më parë raportohej se në peshë specifike Shqipëria kishte investimet e huaja më të larta në Ballkan, por që përktheheshin në shumë pak vende pune për shkak të specifikave të këtyre investimeve. Këto shtuar me të tjera probleme të ekonomisë sonë, e bëjnë sot punën e qeverisë së Majtë dhe sidomos premtimin për uljen e borxhit publik në këtë afat kohor, një mision krejt të pamundur ashtu si edhe detyrimin e zakonshëm për transparencë, që nuk u bë asnjëherë.
Është e lehtë të shpjegohet kështu që në vend të kësaj, qeveria shqiptare për të mbuluar këtë defiçensë jo të vogël, do të na përball, njësoj si ajo paraardhësja me projekte bombastike, siç janë lajmet e përditshme për rehabilitimin e qendrave të qyteteve.
Deri më sot, politika ka qenë e shurdhër dhe disi e padrejtë me masat e saj. Le të kujtojmë fushatën kundër informalitetit, shumë të drejtë në thelb, por në mënyrën sesi u bë rezultoi të ishte krejt e pasuksesshme me masat drastike ndaj gjynahqarëve më së shumti. Dhe, kjo sepse qeveritë shqiptare, dhe individët e tyre drejtues si Berisha (dje) dhe Rama (sot), dëgjojnë shumë pak. U mjafton një si Mea Culpa show, për të thënë se janë në vështirësi, por pa shpjeguar asnjëherë se realisht masat e tyre janë kaq pa efekt, apo ku janë pasojat sot të mungesës së prodhimit vendas, të mungesës së vendeve të punës dhe talljes për to, strukturën e eksportit dhe shumë e shumë të tjera. Dhe, më shqetësues akoma është korrupsioni i madh dhe mungesa e një modeli real që t’i japë frymëmarrje vendit, ashtu si edhe mosbesimi i fundit ndaj Reformës në Drejtësi që mund të shërbente për mbrojtjen e interesave publike dhe zbutjen e akrobacive të qeverive tona.
Të gjitha këto që rreshtuam, politikanët tanë i dinë shumë më mirë, por është viti zgjedhor dhe ka shumë pak gjasa të ndryshojë gjë, kanë mbetur gjërat sipërfaqësore me të cilat do të përpiqen t’u marrin mendjen qytetarëve për t’ua kërkuar sërish votën. Po çfarë gënjeshtrash do lindin vallë, kjo ia vlen e vetme për t’u dëgjuar nga politikanët tanë, që me këtë rast i shtojnë pikë vetes në krijimin e historisë së një ekonomie kaq informale sa ekonomia jonë.
(JavaNews)